Deputetët e shumicës dhe opozitës e rikthyen të mërkurën Kuvendin e Armenisë në një “arenë boksi”, që pasuan përplasjet me fjalë e trup të një dite më parë.
Garda e parlamentit u detyrua të ndërhyjë me forcë për t’i shpëtuar parlamentarët nga grushtet e shishet me ujë që hidhnin mbi njëri-tjetrin.
Zëniet e ashpra përfshinë edhe gratë, madje një prej tyre, Ana Mkriian, u bë të martën shkas për acarimin e situatës.
Opozitarja edhe më herët ishte paralajmëruar për deklaratat ndaj kryeministrit Nikol Pashinian, por këtë herë u urdhërua ta lërë sallën.
Shefi i qeverisë po shpërfaqte programin politik kur pati ndërhyrje nga vendi duke e qortuar për kapitullimin e shtetit në konfliktin për rajonin malor të Karabakut, kundër Azerbajxhanit.
Lufta e vitit të shkuar la të vrarë mbi 3,700 ushtarakë armenë dhe mbi 240 nuk janë gjetur.
Me gjithë rezultatin tragjik, deputetët e mazhorancës thanë se akuzat e opozitës nuk qëndrojnë e as nuk reflektojnë vullnetin e popullit duke pasur parasysh se u dha pushtetin.
Opozita është ankuar se zgjedhjet e fundit e nxorën më të dobët prej manipulimeve, ndërsa edhe OSBE-ja që monitoroi zgjedhjet pranoi se retorika e partive qe e ashpër, por procesi në qershor në përgjithësi ishte pozitiv.
/m.j