Nikoll Lesi shkruan se Edi Rama shumë shpejt do t’i dërgojë Ilir Metës emrat e Qeverisë së re.
Sipas tij, Meta do t’i dekretojë emrat brenda 24 orëve, ndërsa Rama do e lërë të qetë në Presidencë.
Lesi shkruan se Meta do e mbyllë mandatin si “president danez”, pa iu kundërvënë Edi Ramës.
“Kryeministri Rama ka mbyllur emrat e kabinetit të ri. Disa janë thirrur në takim në rezidencën e tij ku po pushon e punon njëkohësisht në Vlorë, kurse ata që mbeten prapë ministra do marrin vetëm një sms: Do vazhdoni!
Ditën e hënë datë 23 gusht, sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla nis shkresën zyrtare drejtuar presidentit të Republikës, Ilir Meta ku thotë se Edi Rama ngarkohet nga partia fituese e zgjedhjeve te 25 prillit 2021 si kryeministër.
Me pas presidenti e dekreton Edi Ramën në një ceremoni zyrtare publike. Do bëjnë sikur nuk flasin e shumë serioz, por një fill nëntokësor i lidh prapë.
Pas dekretit të Presidentit, Edi Rama nis shkresë zyrtare Presidentit për emrat e ministrave, të cilët prapë duhet të dekretohen nominalisht nga Presidenti Meta.
Me pas shkohet në parlament të hënën e parë të shtatorit (thotë Kushtetuta) dhe bëhet betimi i deputetëve, zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit. Me pas votohen dekretet e ministrave, ku burime nga presidenca thonë se presidenti Meta do ti firmos brenda 24 orëve.
Me pas prapë kryeministri dhe ministrat shkojnë e betohen para presidentit Ilir Meta.
Ilir Meta fiton në Gjykatën Kushtetuese mos shkarkimin dhe vazhdon i qetë deri me 24 korrik 2022 si president.
Ndërkohë shumë ujëra të turbullta do të jenë qartësuar në raportet mes PS dhe LSI.
Nuk ka thënë kot dikur Pjetër Arbnori se “këta nuk janë socialista, por specialista!”.
E gjejnë prapë gjuhën e përbashkët edhe pa pi verë të kuqe te Pallati i Brigadave.
Shtator 2021- korrik 2022 Ilir Meta do jetë “President danez”, kurse Edi Rama kryeministër që ka një opozitë as mish-as peshk, do jetë më i qetë në sallën e Kuvendit.
Sali Berisha do jetë protoganist në parlament se ka edhe thikën në kockë nga ambasadorja amerikane, ndërsa Lulzim Basha do bëjë sikur do ta “vrasë” Edi Ramën, por nuk ngre popullin opozitar në protesta.
Populli do të shikojë në televizion Edi Ramën, Ilir Metën, Sali Berishën e Lulzim Bashën që ia pasojnë topin njeri- tjetrit, dhe kur të ulet në darkë për të ngrënë, tavolina do jetë bosh!
E kështu do ikin 4 vite pushtet i Edi Ramës”, shkruan mes te tjerave Nikolle Lesi.