Nga Alfred Peza
Ilir Meta e ka gjetur kohën që të përkujtojë Arbën Xhaferrin dhe të solidarizohet me popullin e Haitit pas tërmetit katastrofik që ra atje, por ende nuk ia bën dora dhe zemra me sa duket, që të shprehë të njëjtën gjë për refugjatët afganë që pritet të mbërrijnë në Shqipëri me kërkesë të SHBA. As Albin Kurtit, ende nuk ia bën goja ta pranojë, atë që përfaqësues të tjerë të Kosovës e kanë shprehur tashmë publikisht.
Sali Berisha i ka shprehur mirëseardhjen nga njëra anë, por përmes një gjuhe tejet agresive dhe nervoze nga ana tjetër, ka sulmuar Edi Ramën a thua se është i tmerruar për vendimin e qeverisë që iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës së administratës së Presidentit Joe Biden. Kur lexon mesazhet e shpërndara nga propaganda pranë tij, e kupton se këtë radhë Sali Berisha nuk e ka me Kryeministrin e Shqipërisë, por me atë që ka deleguar prej 8 vjetësh si Kryetar të PD.
Sali Berisha është tërbuar me Lulzim Bashën me sa duket, që i ka shprehur mirëseardhjen në Shqipëri një grupi emigrantësh politikë nga Afganistani, jeta e të cilëve ndodhet në rrezik pas marrjes së kontrollit të vendit nga talebanët. Deklarata është lexuar si një provë e harmonizimit të qëndrimeve të Lulzim Bashës me Edi Ramën, për çështje të politikës së jashtme të SHBA, gjë që është lexuar indirekt edhe si një dakordësim edhe me vendimin e SHBA për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
Nëse futesh në lëkurën e tyre, nuk është se u vë shumë faj, kur kujton se Lulzim Basha nuk doli publikisht kundër nismës “Open Balkan” të ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama, homologu i tij maqedon Zoran Zaev dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Kjo nismë u mbështet përveçse BE, edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke ia rrëzuar opozitarëve të vijës së ashpër në Shqipëri fabulën mjerane të sulmit kundër Edi Ramës si “tradhëtar” dhe “i shitur” tek “shkjau”.
Përpara kësaj Lulzim Basha ka vijuar të heshti deri më sot, duke mos mbajtur qëndrim publik as pro e as kundër kërkesës së ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, për ta larguar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD në shtator kur të mblidhet Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Kanë qenë këto tri qëndrime të lexuara si në harmoni me politikën e jashtme të SHBA, të mbajtura nga Lulzim Basha brenda një kohe fare të shkurtër, ndoshta dhe shkaku i shpërthimit të Sali Berishës. Ky nervozizëm u shpjegua me akuzat që vërshuan, kundër asaj që u quajt solidariteti fals me SHBA dhe NATO, duke e bërë Lulzim Bashën bashkëkryetar të një “regjimi të ri” me Edi Ramën.
Kaq mjafton për të kuptuar se Sali Berisha dhe Ilir Meta, i frikësohen qëndrimeve të moderuara të Lulzim Bashës për çështje të rëndësishme politike në Shqipëri, të cilat janë në harmoni me linjën diplomatike të SHBA në Ballkan. Ështe krejt e dukshme se do të donin që edhe ai, të ndiqte shembullin e Presidentit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Kosovës, për të mos e shprehur publikisht solidaritetin me SHBA “në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan”.
E kanë me sa duket shumë jetike të jenë të gjithë bashkë, edhe kundër Edi Ramës, edhe kundër SHBA. Ndaj janë tmerruar që Lulzim Basha u ka dalë nga ritmi i valles së vdekjes që po hedhin sëbashku, me shpresën se vetëm kështu, do ti shpëtojnë pasojave që sjell futja në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Janë aq nervozë sa nuk po e fshehin dot që janë të pushtuar nga “ethet e gushtit”. Janë ethet e temperaturave të larta të lojës politike ku janë futur,- e nuk do të dalin dot më,- dhe jo ato të motit që po i bëjnë të dridhen. U ka mbetur edhe tri javë në dispozicion, për të marë një vendim, përpara cunamit politik që i pret në shtator.
Pas kësaj, do u duhet të zgjedhin: Ose do të jenë me SHBA, ose kundër saj. Ose do të jenë në anën e talebanëve, ose në anën e demokracisë. Ose do të jenë në anën e vlerave të qytetërimit perëndimor, ose në anën e gabuar të historisë. Për ta çdramatizuar sadopak këtë moment, ka menduar Dritëro Agolli, që na ka lënë vargjet e paharrueshme: O moj cica portokalle/ ethet e gushtit më kalle.