Tirana, Shkupi dhe Beogradi do të bashkohen sërish në mbledhjen e qeverive që është planifikuar në muajin shtator. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Bytyqi, kofirmon se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve më karakter ekonomik.
Bytyqi shton se bashkëpunimi rajonal duhet vlerësuar për konkurrueshmërinë që sjell me krijimin e një tregu të përbashkët, duke lehtësuar edhe rimëkëmbjen pas krizës së shkaktuar nga pandemia.
“Nuk e quaj as minishengen , po e quaj si iniciativë iniciativë ekonomike, dhe nëse nuk diskutohet asnjëherë nuk mund të kuptohet. Andaj unë i kuptoj brengat, e kuptoj çdo moment të hezitimit por duhet të diskutohet sepse fundja qëllimi i iniciativës është qëllim fisnik, ajo është t’i sjellim një mundësi më të madhe qytetarëve tanë, bizneseve tona, ekonomive tona. Sepse po e them, kjo është jetike për rimëkëmbjen më të shpejtë në periudhën pas COVID, nëse e humbim një rast të tillë, do e humbim të gjithë.”
Sipas zëvendës kryeministrit për cështjet ekonomike, nisma është vonuar dhe nuk duhet të mbetet peng e interpretimeve politike.
“Ajo iniciativë është e vonuar, në fakt mendoj që periudha e Covid-19 vetëm dëshmoi që nëse duam që rimëkëmbjen ekonomike ta kemi të shpejtë mendoj që çdo ditë e më herët do të duhet t’i kyçemi iniciativave çfarëdo quhen ato, por duke i lënë aspektet politike, duke parë vetëm aspektin ekonomik të ngritjes së konkurueshmërisë rajonale, të krijimit të zinxhirit të vlerës së shtuar në Ballkanin Perëndimor dhe se si ky zinxhir do të jetë pjesë e vlerës së tregjeve globale.”
Bytyqi thotë se një nismë e tillë nuk e minimizon procesin e Berlinit, përkundrazi është mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin rajonal duke respektuar katër liritë themelore të Bashkimit Europian.