Në Komandën e Forcës Detare është zhvilluar një veprimtari me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Flotës sonë Ushtarake Detare. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, komandantët e Forcave, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ish-drejtues dhe ushtarakë veteranë që kanë shërbyer ndër vite në strukturat e Forcës Detare, si dhe mjaftë të ftuar të tjerë.
Pas fjalës së rastit që mbajti komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Ylber Dogjani, të pranishmit i përshëndeti ministrja e Mbrojtjes Kodheli, e cila uroi detarët shqiptarë në këtë jubile të 90- vjetorit të krijimit të Forcës Detare. “Qysh në fillim dua të shpreh mirënjohjen e thellë për punën, përkushtimin dhe vetëmohimin që gjeneratat e detarëve ushtarakë kanë treguar ndër vite, duke dëshmuar se kanë qenë të gatshëm edhe për sakrificën sublime, në përmbushje të misionit dhe detyrave, sfidave dhe të papriturave.”, – është shprehur ministrja Kodheli.
Duke u ndalur në rrugëtimin gati një shekullor të Forcës sonë Detare, ministrja Kodheli nënvizoi se, mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë të NATO-s, veçanërisht SHBA, Forca Detare ka bërë hapa para duke zhvilluar kapacitete efektive në përmbushje të misionit kushtetues, zbatimit të ligjshmërisë detare dhe detyrave. Kontrolli i hapësirës detare sot realizohet nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj dhe janë krijuar kapacitetet e nevojshme për kryerjen e operacioneve në rastet e emergjencave civile në ndihmë të komunitetit. Duke qenë përherë prezent dhe aktivë në det, Forca Detare është bërë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni publik, shteti shqiptar dhe partnered”, – thesksoi ajo.
Në fund të fjalës së saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli ka shprehur mbështetjen e saj për modernizimin e mëtejshëm të Forcës Detare dhe për përgatitjen e trajnimin e detarëve shqiptarë, të cilëve, gjithashtu, i përgëzoi dhe i uroi gëzuar festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2016.
Forca jonë Detare ka një histori të lavdishme në shërbim të atdheut. Përpjekja e parë për organizimin e një shërbimi të marines ushtarake është 25 dhjetori i vitit 1925, kur Parlamenti i Shqipërisë miratoi buxhetin për blerjen e dy anijeve ushtarake nga Italia “Shqipnia” dhe “Skënderbeg”. Me riorganizimin e ushtrisë shqiptare, më 24 qershor 1928 u krijua Komanda e Marinës Mbretërore në Durrës. Në vitin 1926 u blenë dhe erdhën nga Italia katër motovedetat e para. Por çlirimi i Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë e gjeti vendin plotësisht të shkatërruar dhe po ashtu edhe Marinën Luftarake. Në shkurt 1945, kur Kapiteni i Parë Abdi Mati u titullua oficer marine i ushtrisë shqiptare, detyra e parë që mori ishte riorganizimi i Marinës Luftarake. Më 15 gusht 1945, me krijimin e Seksionit të Marinës, nisi edhe riorganizimi Marinës Luftarake Shqiptare, e cila nga viti në vit erdhi duke u forcuar dhe modernizuar me anije dhe mjete të shumta luftarake deatare. Pas viteve ’90, ashtu si të gjithë Forcat tona të Armatosura, edhe Forca Detare është reformuar në përshtatje me kushtet e reja dhe çdo ditë e më shumë po forcohet e modernizohet sipsaa standardeve të NATO-s për të kryer me nder misionin e saj kushteteues.
Përshëndetja e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli me rastin e 90-vjetorit të krijimit të Forcës Detare
Të nderuar veteranë të Flotës, Komandantë e detarë!
Të nderuar të ftuar.
Është nder dhe kënaqësi për mua të uroj detarët shqiptarë në këtë jubile të 90 vjetorit të krijimit të Forcës sonë Detare. Vendi ynë ka një traditë të spikatur të detarisë, përgjatë gjithë historisë shekullore, ku në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, detarët shqiptarë kanë qenë gjithmonë prezent në Adriatik e Jon.
Në këtë rrugëtim shekullor, kontributit të brezave të detarëve i shtohet edhe roli i pazëvendësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët kanë shkruar historinë e tyre, si pjesë integrale e historisë së Popullit Shqiptar, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, lundrime pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar.
Sot ne nderojmë dhe respektojmë aktin historik të ekuipazheve të anijeve “Shqiponja” dhe “Skënderbeg”, të cilët më 25 dhjetor 1925, pas përvojës si detarë, filluan patrullimin për ruajtjen e kufirit detar të shtetit shqiptar. Në shtypin e asaj kohe shkruhej se dy anijet e bregëzuara në Currila u përshëndetën nga qytetarët e Durrësit dhe pasi u larguan një milje nga bregu, bënë tre të shtëna me artileri.
Nga ajo ditë e shënuar, Flota jonë Luftarake sikurse gjithë Forca e Armatosur, ka njohur transformime dhe zhvillime të rëndësishme, me ulje-ngritjet e saj.
Qysh në fillim dua të shpreh mirënjohjen e thellë për punën, përkushtimin dhe vetëmohimin që gjeneratat e detarëve ushtarakë kanë treguar ndër vite, duke dëshmuar se kanë qenë të gatshëm edhe për sakrificën sublime, në përmbushje të misionit dhe detyrave, sfidave dhe të papriturave. Po ashtu, dua të përmend në mënyrë specifike mirënjohjen për ekuipazhet e anijeve që ndër vite kanë zhvilluar operacione emergjencash, kërkim-shpëtimi dheoperacione humanitare pikërisht në ato kushte moti kur askush tjetër nuk guxon ti afrohet as bregut.
Mbas viteve 90, me mbështetjen e partnerëve tanë të NATO-s, veçanërisht SHBA, Forca Detare ka bërë hapa para duke zhvilluar kapacitete efektive në përmbushje të misionit kushtetues dhe zbatimit të ligjshmërisë detare. Kontrolli i hapësirës detare sot realizohet nëpërmjet Sistemit të Ri të Vëzhgimit të saj. Janë krijuar kapacitetet e nevojshme për kryerjen e operacioneve në rastet e emergjencave civile në ndihmë të komunitetit. Duke qenë përherë prezent dhe aktivë në det, Forca Detare është bërë një aktor i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga opinioni publik, shteti shqiptar dhe partnerët.
Anëtarësimi në NATO ka qenë një moment kritik pasi shtroi nevojën e reformimit të Forcës Detare, përmirësimit të legjislacionit detar, konsolidimin e strukturave dhe modernizmin e saj. Me një plan racional modernizimi dhe transformimi, mbështetur në mundësitë e vendit tonë, janë hedhur hapa të konsoliduar në modernizimin e FD me sisteme, pajisje e mjete detare, sipas prioriteteve. Sot FD është kompletuar me mjetet e reja që i nevojiten për të përmbushur misionin e Rojës Bregdetare, pas pajisjes me katër anije patrulluese të mëdha; me Motovedeta të shpejta dhe anije antindotje.
Po ashtu, ndërtimi i Sistemit të Vëzhgimit tё Hapësirës Detare, pajisja e anijeve të Rojës Bregdetare me sisteme tё vёzhgimit natёn, përmirësimet infrastrukturore të vendbazimeve detare, etj. janë hapa konkretë në zbatim të politikave për zhvillimin e Forcës Detare.
Forca Detare ka pasur bashkëpunim të frytshëm dhe projekte të rëndësishme me Komandën e Komponentit Detar të NATO-s në Napoli dhe Northëood, Angli, me Flotën e 6-të të SHBA në Mesdhe, si dhe me Flotat partnere të vendeve Aleate, duke rritur aftësitë dhe kapacitetet operacionale.
Në këto vite FD ka përmbushur me sukses misionin dhe detyrat dhe ky përvjetor i 90-të i gjen ato më të afta, më të pjekura dhe të zhvilluara, me personel të motivuar e të aftë profesionalisht, me mjete të reja dhe infrastrukturë moderne. Rritja e ndërveprueshmërisë me flotat e vendeve të NATO-s e do të vijojë të ngelet sfidë edhe pse gjatë stërvitjeve të përbashkëta të viteve të fundit, efektivat tona kanë dëshmuar se janë jo vetëm të aftë por dinjitozë dhe të barabartë.
Unë besoj fort se Forcat Detare do të vijojnë të jenë të gatshme për operacione, aksione e prezencë për patrullimin, ruajtjen dhe kontrollin e hapësirës sonë detare dhe sigurimin e ligjshmërisë në det, sikurse edhe për të mbështetur popullsinë dhe autoritetet civile në rastet e emergjencave dhe fatkeqësive. Po ashtu sfidat e të ardhmes kërkojnë vizion, objektiva e synime të qarta, një përqasje gjithëpërfshirëse dhe efektivitet në listimin e prioriteteve, planifikim dhe programim.
Të nderuar pjesëmarrës!
Forcat Detare, në këto 90 vite kanë pasur zhvillime të rëndësishme ku efektivat e saj janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare. Detarët tanë e kanë shkruar me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumërta, historinë e Forcës Detare Shqiptare. Mirënjohja për mundin dhe sakrificat nuk harrohen por do përcillen me respekt në gjeneratat e ardhshme.
Sikurse e theksova, anëtarësimi në NATO, krahas përfitimeve për sigurinë e vendit tonë, shtron edhe nevojën për personel, pajisje e procedura të ndërveprueshme me aleatët. Me këtë rast desha të shprehja mbështetjen time, e cila në asnjë rast nuk do të mungojë, jo vetëm për modernizimin por edhe për zhvillimin e personelit, trajnimin e stërvitjen, duke shfrytëzuar me efektivitet burimet tona, por edhe mundësitë e ofruara në kuadrin bilateral ku FD ka qenë shume e suksesshme.
Është gjë e bukur që festa e detarëve përkon dhe me festat e fundvitit, ndaj gjej rastin t’ju uroj:
Gëzuar Krishtlindjet dhe Festën e Vitit të Ri 2016!
Suksese të mëtejshme, shëndet e mbarësi në familjet tuaja!