Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, thekson rëndësinë që reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, sipas modelit të dekriminalizimit.
Në një deklaratë për mediat, Vasili tha se konsensusi për këtë reformë është i mundur, pasi mjedisi politik në Shqipëri është i gjithi në favor të kësaj reforme të rëndësishme. LSI vlerëson raportin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, duke theksuar se rolin e këtij komisioni nuk mund ta luajë askush tjetër.
“Miratimi i ligjit të dekriminalizimit është një hap shumë i rëndësishëm për rrugën e europianizuese ku ka hyrë vendi. Konsensusi gjithëpartiak rrit besimin dhe afron më tej Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Miratimi i këtij ligji provoi se ndërtimi i konsensusit është i mundur, si dhe është rruga që duhet të na prijë për një tjetër moment të rëndësishëm që kemi përpara, siç është reforma në drejtësi. LSI mbështet kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme. LSI vlerëson mbështetjen e madhe që Komisioni i Venecias po i jep Shqipërisë për reformën në drejtësi. Ne e mbështesim një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale në drejtësi, sipas modelit të dekriminalizimit. Konstatojmë se mjedisi politik është i gjithi në favor të reformës në drejtësi. Konsensusi është gjithashtu një sugjerim i rëndësishëm që gjendet edhe në raportin paraprak të Komisionit të Venecias”, deklaroi Vasili.
LSI dhe grupi i saj parlamentar do të organizojë dëgjesa publike me ekspertë, akademikë dhe qytetarë gjithashtu, për reformën në drejtësi. Lidhur me deklaratën e Bashës për raportin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, Vasili pohoi se “Më vjen mirë për këtë deklaratë të zotit Basha. Pas kësaj deklarate duket qartë se rruga e konsensusit është rruga më e afërt. Gjykatësi i vetëm, Komisioni i Venecias, paraqet këtë gjë. Ne kemi dokumentin e duhur, na krijon favore”.