Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar për situatën e zjarreve në vend. Me anë të një postimi në rrjete sociale, ai shkruan se aktualisht në të gjithë vendin tonë nuk ka rreziqe për jetën e banorëve apo dhe të shtëpive.
Gjithashtu ai bën me dije se të gjitha strukturat shtetërore po punojnë nga toka dhe ajri për të neutralizuar flakët.
“Vazhdon lufta me flakët – Në këto momente Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes civile, nën koordinimin e AKMC janë duke punuar nga toka e ajri për izolimin dhe neutralizimin e flakëve në Karaburun, Rips (Vlorë), Gadurove-Selite (Mallakastër), Thirë (Lezhë), Margegaj, Theth (Tropojë), Vërmosh (Malësi e Madhe). Në të gjithë territorin në këtë moment nuk ka kërcënime në jetë dhe në banesa” – shkruan Peleshi.
Më herët Ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate njoftoi se deri më tani në të gjithë territorin shqiptar janë shuar 163 vatra zjarri.
Për një prej zonave më të vështirë, në gadishullin e Karaburunit, Ministria njoftoi se është vendosur nën kontroll pjesa më e madhe e kësaj vatre./m.j