Fluks i shtuar në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe në kthim. Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, qëndroni në radhë kur ka ngadalësim të lëvizjes për shkak të fluksit të lartë të mjeteve, përdorni rrugë alternative dhe shmangni orët e pikut.
Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep, se në të gjitha akset rrugore nacionale, duke filluar nga Rruga e Kombit e deri ne Sarandë, ka radarë, patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike.
Gjatë 48 orëve të fundit janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 61 leje drejtimi, nga të cilat 37 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 24 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2567 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Ndërkohë, nga Policia Rrugore e Elbasanit janë evidentuar dhe ndëshkuar dy drejtuesit e mjeteve që janë shfaqur në rrjetet sociale, konkretisht:
Është ndëshkuar me masë administrative 30.000 mijë lekë të rinj, shtetasi F.S., i cili drejtonte një karrotrec me të cilin po transportonte një automjet me dyer të hapura, duke u bërë rrezik për jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.
Gjithashtu, është evidentuar dhe drejtuesi i mjetit “Benz”, shtetasi E. C., i cili me automjetin e tij ka kryer një parakalim të rrezikshëm në rrugë. Ky shtetas është ndëshkuar me masë administrative 6.000 mijë lekë të rinj, pezullim 4 muaj të lejes së drejtimit dhe zbritje 3 pikë.
Policia Rrugore, nisur nga fakti se në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.
/b.h