Ka ende që besojnë se Lulzim Basha me gjithë pafuqinë e tij epike, do ia dali ta drejtojë PD edhe pasi me ndihmën e SHBA, Sali Berisha të ketë dalë përfundimisht nga skena politike shqiptare. Por kjo është po aq e mundur, sa edhe realizimi i ëndrrave të tij me karrike kryeministrore, përderisa Sali Berisha u përbetua se do qëndrojë në parti edhe sikur të mbetet i fundmi brenda saj.
Kjo do të thotë se PD do ekzistojë, për aq kohë sa të jetojë politikisht, edhe Sali Berisha. Jeta e PD është e lidhur në mënyrë ekzistenciale, me fatin politik të “liderit të saj historik” dhe jo me atë të kryetarit aktual. Përderisa Lulzim Basha nuk ia doli në kohë që ta vriste “babain e tij politik”, tani është shumë vonë, që ta realizojë këtë. Sali Berisha ia doli me sukses kësisoj, që të bëhej, edhe djepi edhe varri i PD.
Ndaj në këto kushte, në shtator mos prisni që Lulzim Basha ta largojë Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD, sipas ultimatumit të SHBA. Nëse nuk e ndalon dot deri atëherë diçka më madhore, Sali Berisha do futet dhe do ta zerë vendin e tij, në sallën e në Parlamentit e ri.
Lulzim Basha nuk do që ta largojë Sali Berishën nga oborri i SHQUP, sepse do kishte dhënë deri më sot për këtë, qoftë edhe një shenjë të vetme. Në librin e botuar 4 muaj më parë “Misioni im”, ai përbetohet për besnikëri të përjetëshme, ndaj babait politik. Kjo do të thotë se Lulzim Bashës vetë, as që i shkon ndërmend që ta largojë Sali Berishën nga skena opozitare, në mënyrë që ta udhëheqë atë drejt rikthimit në pushtet.
Edhe sikur të donte, pavarësisht se as nuk shprehet e as nuk e lë të nënkuptohet, Lulzim Basha nuk mundet dot që ta largojë Sali Berishën nga radhët e PD. Historia e pluralizmit shqiptar përgjatë këtyre 30 viteve, ka treguar se asnjë lideri sado i dobët që ka qenë ai, nuk ia kanë marë dot partinë sado e vogël që ka qenë ajo. E jo më që tia marin partinë, e kujt pa, Sali Berishës!
Vëtëm ikja me vullnetin e tyre të lirë apo në “kompromis” me pasardhësin, ka qenë kapaku i floririt, për karrierat politike të atyre liderëve që e zgjodhën këtë rrugë. Historia e Fatos Nanos në PS, Sabri Godos në PR, Bamir Topit në FRD, Skënder Gjinushit në PSD e ndonjë tjetri më periferik, e ka vërtetuar tashmë këtë teori në Shqipëri.
Ndaj mos ëndërroni që Lulzim Basha të bëjë brenda PD me Sali Berishën, atë që nuk mundet. Ai as nuk shkëputet dot prej tij, as nuk mund ta largojë dot atë nga grupi parlamentar, as nuk mund që tia mbylli portën e SHQUP, as ti shpalli dot sot luftën që duhet ta kishte bërë që natën e parë sapo u konfirmua në krye të PD. Karrierës së Lulzim Bashës ia hapi derën Sali Berisha, e ai ka në dorë që ti japi edhe shkelmin e fundit kur të dojë, por jo e kundërta!
PD ka qenë, është dhe do të mbetet pronë private në të gjitha kuptimet, e Sali Berishës. Ai që iu bë 30 vjet më parë djepi, do të jetë nesër, edhe varri i saj. Historia e këtyre tri dekadave, ka dëshmuar se askush as nuk ia mori, as nuk ia tjetërsoi, as nuk ia vuri në dyshim lidershipin absolut, e jo më që ta përzerë Sali Berishën nga kulla e vet politike. Mjerisht për PD dhe fatkeqësisht për pluralizmin dhe sistemin demokratik në Shqipëri, ky është realiteti, pavarësisht dëshirave të gjithkujt!
Në këto kushte po do ti kërkonit ndonjë gjë të mundëshme Lulzim Bashës, e cila të mund të jetë edhe e realizueshme, ka ende dy mundësi në lojë:
E para, ose të marë gjithë njerëzit që ka futur brenda PD në këto 8 vjet, bashkë me përkrahësit e mbështetësit e tij nëse ka, e të krijojë me ta një parti të re. Një forcë te re politike. Me një program të ri, sigël, flamur e seli të re.
E dyta, ose të largohet përgjithmonë nga edhe nga Partia Demokratike dhe nga skena politike, e sigurisht bashkë me këtë i bie që të largohet edhe nga Shqipëria. Për tiu rikthyer jetës së tij private, profesionale dhe asaj familjare.
Pas kësaj Lulzim Basha vërtetë nuk u bë dot një lider i mirë, sfidues dhe fitues, por të paktën le të mbetet në mendjet e shumëkujt thjeshtë një “djalë i mirë”!