Ministria e mbrojtjes ka vënë në gatishmëri flotën ajrore për shuarjen e zjarreve. Zëvendësministrja Dallëndyshe Bici shprehet se aktualisht është angazhuar një prej tyre, ndërsa 4850 forca operacionale po punojnë në terren.
Me mjete rrethanore dhe me pajisje të posaçme në betejën me zjarret kanë zbritur 4850 forca operacionale. Zv ministrja e mbrojtjes Dallandyshe Bici thotë se 1200 janë nga ushtria.
“Aktualisht në rang kombëtar kemi 4580 forca operacionale, të cilat janë në gatishmëri, nga këto 1001 janë forca zjarrfikëse, 1700 janë forca të pushtetit vendor, 580 janë forca e policisë së shtetit dhe 1200 janë forca të armatosura të cilat janë në gatishmëri për çfarëdo lloj rreziku që mund të paraqitet.”
Aktualisht Karaburuni vijon të jetë vatra aktive e rrezikshme, ndërsa më parë janë shuar ato në Ksamil, Përmet, Fier dhe Kurbin. Zv.ministrja pranon se luftën me flakët e kanë bërë jo vetëm me mjetet e zjarrfikëseve, por edhe në mënyrë provizore.
“Përveç mjeteve të zjarrfikësve, janë përdorur edhe mjete të tjera rrethanore sipas situatës.”-shprehet ajo. Në mbështetje të forcave që punojnë për shuarjen e flakëve në Karaburun është vendosur edhe një helikopter, por Bici shton se edhe mjete të tjera ajrore janë në gatishmëri
“Për përballimin e situatës është përdorur një helikopter, pjesa tjetër është në gatishmëri, nëse situata do të jetë jashtë kontrollit,”- shprehet ajo per ora news.
Duke parë situatën në rajon, është gati e pamundur të kërkohet ndihmë në shtet fqinje për shkak të gjendjes së tyre me zjarret, por aktualisht sqaron institucioni i mbrojtjes nuk kemi nevojë për ndihmë.
/m.j