Ish-kreu i degës së Partisë Demokratike në Korçë, Andrea Mano vijon të drejtojë akuza të forta në drejtim të kreut të kësaj force politike, Lulzim Basha dhe të deleguarit të tij në qarkun e Korçës.
Në një lidhje direkte në Report tv, Mano u ndal tek analiza e zgjedhjeve, për të cilat tha se anëtarësia nuk di asgjë.
Ai theksoi se raporti është bërë nga i deleguari i Bashës, së bashku me 3-4 persona, pa u marrë mendimi i anëtarësisë. Për më tepër ai tha se anëtarësia as nuk e di çfarë shkruhet në atë raport.
“Me thënë të drejtën nuk dimë çfarë është ajo analizë, nuk është pyetur askush, nuk dihet çfarë është shkruar dhe as kush e ka shkruar.
Ishin 3-4 veta në bazë të udhëzimit të Bashës. Raporti është bërë pa u marrë mendimi i anëtarësisë. Analiza është bërë nga kryetari i qarkut, i deleguari i Bashës”.-deklaroi Mano.
Gjithashtu ai u ndal edhe tek fushata për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa theksoi se fryma e përçarjes që sipas tij erdhi nga i deleguari i Bashës, ndikoi edhe në rezultat.
“Qoftë mënyra e fushatës, lista, përcarja dhe përfaqësim jo dinjitoz, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve. I deleguari i Bashës futi përçarje mes strukturave. Janë përdorur teza jo të hijshme”-tha Andrea Mano.
Po ashtu ai theksoi se është nëpërkëmbu dinjiteti i demokratëve të Korçës, nga Lulzim Basha dhe të deleguarit e tij. /m.j