Sot planifikonte të kthehej në Shqipëri, por trupi i tij është gjetur i pajetë në asfaltin e rrugës “Ticchioni” në Itali. Mediat vendase raportojnë se shqiptari i ndjerë është 38-vjeçari Mikel Gjini, i cili jetonte prej dy vitesh në Itali, ku punonte si punëtor ndërtimi.
Alarmi u dha dje në mbrëmje pak pas orës 19:30. kur trupi i pajetë u gjet pranë portës së një ndërtese i mbuluar nga një pellg gjaku.
Sipas hetimeve paraprake dyshohet se shqiptari është përplasur nga një automjet dhe më pas është lënë në rrugë.
Një tjetër hipotezë që qarkullon është ajo se 38-vjeçari mund të ketë rënë nga ballkoni i pallatit ku jetonte, me apo pa dashje. Sidoqoftë sipas hetuesve, kjo hipotezë është më pak e besueshme.
Mësohet se të afërmit e vetëm që viktima kishte në Itali ishin motra dhe një kushëri, me të cilin punonte në ndërtim.
I ndjeri kishte planifikuar këtë mëngjes të kthehej në Shqipëri për të kaluar pushimet verore pranë familjes.
Deri më tani asnjë prej miqve dhe të afërmve të tij nuk ka dhënë një indicie që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Policia pritet të këqyrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Panorama