Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, ka komentuar situatën më të fundit epidemiologjike në vendin tonë, duke u ndalur tek rreziqet e varianti ‘Delta’ i Koronavirusit.
I ftuar në Fax news Ulqinaku u shpreh se do të ishte pa kuptim të themi se Shqipërisë nuk i kanoset rrezik nga ky variant, që sipas tij është i njëjtë me ato angleze dhe braziliane, ndërsa apeloi për kujdes maksimal ndaj situates.
“Do të ishte pa kuptim të themi se Shqipëria nuk ka rrezik nga varianti Delta i Koronavirusit. Ky variant është i njëjtë me ato angleze dhe braziliane, ndaj duhet të jemi të vëmendshëm ndaj situatës. Shenjat janë pothuajse të njëjta me variantet e mëparshme. Personat e vaksinuar janë më pak të riskuar të preken nga varianti Delta. Por ajo që e bën këtë virus ndryshe nga të tjerët është vetëm shpejtësia e transmetimit të tij. Akoma nuk ka evidenca që vaksinat e tjera evropiane janë shumë herë më potente sesa vaksinat kineze apo ruse. Që do të thotë se, hospotalizimi është pothuajse njësoj më i ulët për të gjitha vaksinat”, u shpreh ai.
Ndërkohë, duke komentuar masat e marra në vend për parandalimin e virusit në fjalë në kufijtë hyrës dhe dalës me vendet fqinje, por jo vetëm, Ulqinaku u shpreh se asnjëherë nuk ka qenë i mendimit se virusi mund të ndalet në kufi apo dogana, por sipas tij, nevojitet ndërgjegjësim nga qytetarët dhe sa më shumë vaksinim.
“Nuk kam menduar asnjëherë që virusi ndalohet në kufi apo në dogana. Por, më e rëndësishme në këtë moment është sensibilizimi dhe mendoj që ky është një moment i artë për të gjitha vendet që të kryejnë vaksinimet e personave mbi 18 vjeç, ashtu sikurse në vendin tonë, ku në ditët e hapura, kushdo që është mbi 18 vjeç mund të vijë dhe të vaksinohet, pasi është një mundësi e artë për të shmangur variantin Delta.
Ne nuk mund të bëhemi pjesë edhe e frenimit ekonomik apo edhe të mbylljes së bizneseve. Situata epidemiologjike është shumë e mirë, shumë e favorshme. Ndaj ne bëjmë shpeshherë thirrje që të vaksinohemi, pasi është e vetmja mënyrë që ne të dalim faqebardhë në vjeshtën apo në dimrin që vjen, pavarësisht transmetueshmërisë tepër të lartë që ka ky variant i ri, por urojmë që të mos bëhemi pjesë e atyre vendeve që kanë probleme të theksuara të sistemit shëndetësor, si pasojë e situatës së krijuar nga variantet e reja të koronavirusit.”, deklaroi në lidhje me këtë çështje, Ulqinaku.
/m.j