Me emrin ” Klareta Shaba ” dhe me foton e kësaj vajze në facebok, 29 vjeçari Eri Mulleti akuzohet se mashtroi një emigrant shqiptar i cili jeton në Itali dhe që ju zhvaten gati 9 milionë lekë.
Shenjestra e tij ka besuar deri në fund se po fliste me një vajzë të interesuar për lidhje serioze, deri ditën kur udhëtoi drejt Tiranës për ta takuar, por e reja u zhduk pa asnjë gjurmë.
Hetimi i nisur në Pogradec dhe i deleguar për gjykim në kryeqytet , zbuloi se si shtetasi me inicialet A.A njohu virtualisht Klaretën të cilën për shkak të kufizimeve të pandemisë e pati të pamundur ta takonte për më tepër se një vit.
Dosja tregon se si Mulleti, një i ri në vështirësi ekonomike dhe i papunë hapi profil facebook me mbiemrin e gjyshes dhe emrin e një të njohure, fillimisht tha ai sa për lojë dhe për të parë çfarë ndodhte në boten virtuale, por që shumë shpejt e ktheu në burim të ardhurash.
Në komunikimet telefonike zëri i mashtruesit imitonte zërin e një vajze.
‘Kam besuar deri në fund se po flisja me një femër’ thotë në denoncim emigranti i cili pas kërkesës së parë , u tregua i gatshëm dhe dhuratën e parë me vlerë 400 euro ja nisi në emër të të ëmës.
Më tej nëna dhe gjyshja e mashtruesit tërhiqnin shumat në llogaritë e tyre respektive- mbasi i riu mashtrues i njoftonte se ia kishte nisur një shok.
Por kur emigranti u kthye në Pogradec dhe u përpoq ta takonte Klaretën ajo bllokoi çdo kanal komunikimi , çka e ka bindur atë se çdo gjë ishte një mashtrim dhe ai duhej të shkonte në polici./TCH