Nga Alfred Peza
Kryesia e PD ka bërë bilancin dhe analizën e zgjedhjeve, ku si në konkluzionet e paraqitura dhe debatet e zhvillura, askudh nuk ka guxuar ta shohi në sy humbjen. Një humbje jo dosido, por që e mban PD për herë të parë pas 30 vitesh nga krijimi, për 12 vjet me radhë në opozitë.
Edhe pse kanë kaluar plot 3 muaj, askush nuk arriti të thotë me gojën plot brenda strukturave të PD, atë që e dinë të gjithë shqiptarët. Se humbja e opozitës ka emër. Ai quhet, as më pak e as më shumë, por Lulzim Basha.
Mjafton të lexoni 13 konluzionet e paraqitura në mbledhjen e Kryesisë, për ta kuptuar realitetin e trishtë të PD, e cila i ngjan atij njeriu që pasi e kanë zhdëpur mire e mirë në dru nuk e lenë as të qajë. Kjo është prova finale se Lulzim Basha e ka privatizuar përfundimisht partinë, ndaj askush brenda saj, nuk ka as guximin që ta shohi në sy e jo më ti drejtojë gishtin e fajësimit “punëdhënësit” të tij.
Po ti hedhësh një sy konkluzioneve, del që fajtorë për humbjen e PD dhe opozitës në zgjedhjet e 25 prillit janë që nga aleatët e saj në opozitë, e deri tek PS, Kryeministri dhe qeveria në mazhorancë. Pa harruar këtu madje as shqiptarët e ndërkombëtarët. Për humbjen del se nuk ka përgjegjësi vetëm Lulzim Basha, ose njeriu që në rast fitoreje, do të ishte Kryeministri në 4 vitet e ardhshme.
Përveçse qesharake, kjo lloj qasje tregon edhe derexhenë ku është katandisur përfundimisht PD. Mirë deri dje që kishte frikë nga “lideri historik” Sali Berisha, për të gjitha arsyet që dihen tashmë, por sot i duhet të drithet edhe nga Lulzim Basha?! E nga kush pa, nga një lider që nuk fitoi asnjë betejë politike në këto 8 vjet dhe asnjë palë zgjedhje, qëshkurese ia dhuruan postin e Kryetarit të PD?! Partia që mburret me të drejtë, se u krijua për të rrëzuar një nga diktaturat më të egra në Europën Lindore komuniste, sot paska frikë Lulzim Bashën?! Epo demokratët qofshin.
Në asnjë pikë të konkluzioneve dhe të analizës për rezultatin e opozitës në zgjedhje nuk përmendet emri i Lulzim Bashës. Në asnjë diskutim nuk përmendet emri i kandidatit të opozitës për Kryeministër. Një asnjë debat të brendshëm nuk përmendet emri i Kryetarit të partisë. Në asnjë propononcim public e mediatik pas kësaj, nuk përmendet emri i liderit të opozitës. As në rreshtat e teksteve zyrtare, nuk përmendet emri i Lulzim Bashës, e as në fjalime dhe intervista.
Ajo që e bën akoma edhe më tragjikomike këtë situatë, është fakti se debate për shkaqet reale të humbjes, u zëvendësua me debatin e madh për… metodologjinë. Po, po. I vetmi shqetësim që ka sot Kryesia e PD është: Metodologjia mbi të cilën u zhvillua analiza e rezultateteve të arritura. Ajo nuk merej me të sotmen, por me proceset elektorale të 10-15 viteve më parë, që nuk kanë asnjë lidhje dhe bazë krahasimore me zgjedhjet e 2021. Në fund doli se as metodologjinë nuk e paskërkëshin zgjedhur vetë, por ua kishin ofruar të tjerët, që mund ta kenë biznes atë punë por kurrësesi përgjegjësi politike!
Analiza u bë me qarqe dhe jo në shkallë vendi, në mënyrë që përgjegjësia e humbjes të kërkohej sa më larg emrit të Lulzim Bashës. Fajin e paskërkësh patur Tirana, por jo SHQUP-i. Durrësi, jo Lulzim Basha. Korça, por jo Kryetari i partisë që zgjodhi të deleguarit politikë nëpër qarqe. Gjirokastra, por jo kandidati i opozitës për Kryeministër që hartoi listat e kandidatëve për deputetë dhe aleancat parazgjedhore.
Të gjitha këto dëshmojnë më qartë se çdo herë tjetër, se PD as ka kuptuar, e aq më pak të ketë mësuar nga humbja historike. Ndaj nuk guxojnë as që ta shohin atë drejt e në sy. A e dini pse? Sepse nëse e bëjnë siç duhet këtë, çdo analizë, çdo konkluzion dhe çdo rrugë e gabuar që u ndoq, të çon vetëm në një drejtim. Vetëm tek një pikë. Tek një zyrë. Tek një karrike. Tek një emër. Tek Lulzim Basha.
Por ai e futi në xhep që në 13 qershor, mandatin e Kryetarit të PD edhe për 4 vitet e ardhshme, e kësisoj i lau duart nga humbja. Ndaj të gjithë poshtë tij sot janë gati të fajësojnë edhe veten, por kurrësesi të kryeqëzojnë në shtyllën e turpit politik, fajtorin e vetëm të kësaj historie. Shenjë e sigurtë se pas kësaj, Lulzim Basha do këndojë në vend të himnit, këngën: Nga humbjet vijmë, në humbje shkojmë…
Kanë fituar PRESHIN e Tanit të Aidës ….