Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, të enjten, ka zgjatur dy orë e gjysmë. Ajo u zhvillua në një klimë të tensionuar, ku pati edhe debate mes demokratëve, por në fund të saj u miratuan 4 pikat e rendit të ditës.
Pasi doli nga mbledhja Fatbardh Kadilli tha se propozimet e tij u cilësuan të parakohshme, por ai kërkoi një reflektim të thellë nga demokratët.
Duke folur mbi propozimet që parashtroi para kryesisë, Kadilli tha se u dëgjuan dhe u gjykuan, por që bashkë me anëtarët e tjerë dhe kryetarin Basha ndajnë mendime të ndryshme.
“Për të parë nga ato që janë mundësitë dhe kapacitetet e kësaj partie për ta bërë të pastër, të hapur, konkurruese dhe fituese. Ndryshimet e propozuara nga unë, përgjithësisht u gjykuan të parakohshme, por me shumë nga anëtarët dhe kryetari, që ndajmë koncepte të ndryshme për ndarjen e rolit të udhëheqësit të partisë.
Uroj që kuvendi kombëtar, të jemi të gjithë bashkë për të hapur një proces të gjerë dhe të thellë që të ndryshojmë veten tonë në radhë të parë për të mundur Edi Ramën” tha ai.
Mësohet se në mbledhje drejtuesit politikë kanë debatuar me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, për mënyrën se si është hartuar dokumenti i analizës së humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.
Drejtuesi politik i Korçës, Edmond Spaho është shprehur i pakënaqur me analizën përfundimtare për qarkun Korçë. Sipas tij, ky qark ka arritur objektivin, duke marrë 5 mandate./m.j