“Herësi vdiq, por mbreti mund të ngjallet. Vendimi ishte i drejtë, por rreziku ekziston pasi dy palët mund të ulen sërish dhe ta fillojnë nga e para. Kjo do të ishte një gjë e shëmtuar, por ka pak gjasa të ndodhë pas këtij vendimi, i cili shpëton zgjedhjet e radhës”.
Kështu u shpreh në Dita Jonë Astrit Patozi nga Bindja Demokratike për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me herësin në zgjedhjet e fundit.
Më tej, Patozi u shpreh se nëse zgjedhjet do të zhvillohen nesër, atëherë ky herës nuk do të jetë më funksional dhe ky është një lloj shërbimi.
Astrit Patozi theksoi palët janë të gatshme të ulen dhe të bëjnë reformë të re zgjedhore edhe pse kanë akuzuar për vjedhje të zgjedhjeve.
“Nëpërmjet kësaj kauze ne treguam me gisht autorët. Të dyja palët nuk kanë folur dhe kjo tregon se të dyja janë kapur në flagrancë. Kanë dhënë shenja që janë të gatshëm të bëjnë një reformë të re zgjedhore, disa zëra të PD, ndërkohë që thonë se PS u ka vjedhur zgjedhjet. Sapo të futen në parlament janë të gatshëm të ulen me hajdutin dhe me hajdutin e zgjedhjeve duan të bëjnë një marrëveshje tjetër”, u shpreh Patozi.
Në fund, Patozi u shpreh se nëse opozita shqiptare mbetet vetëm te PD, Rama e ka të garantuar edhe mandatin e katërt.
/b.h