Greqia është vendi i parë në Bashkimin Evropian që vendosi vaksinim të detyrueshëm kundër koronavirusit tek një grup i caktuar personash. Vendimin e ka bërë të ditur vetë kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, i cili theksoi se të gjithë punonjësitë e azileve duhet të imunizohen, përndryshe ata do të pezullohen nga puna.
“Bëhet i detyrueshëm vaksinimi i menjëhershëm i punëtorëve në shtëpitë e pleqve, e cila është kategoria më e rrezikuar. Ata që refuzojnë të injektohen do të pezullohen nga puna. Kjo bëhet sepse nuk mund të jenë ata bartësit të mundshëm të këtij virusi, kur supozohet të mbrojnë ata që janë më të rrezikuar.”
Kreu i qeverisë greke, gjithashtu njoftoi se nga fillimi i shtatorit, edhe personeli shëndetësor do të detyrohet të bëjë injeksionin.
“Vaksinimi i detyrueshëm do të zbatohet edhe për profesionistët shëndetësorë, në sektorin publik dhe privat. Eshtë e pamendueshme, për shembull, që një infermiere e pavaksinuar të kujdeset për një pacient me kancer. Jam i sigurt që një pjesë e madhe e shoqërisë pajtohet me këtë vendim. Dhe unë kërkoj nga të gjitha palët që ta mbështesin atë pa ankesa.”
Ndërkohë klubet, baret, kinematë dhe teatrot do të jenë të aksesueshme vetëm për të vaksinuarit.
“Nga kjo e premte dhe deri në fund të gushtit, të gjitha zonat e mbyllura, klubet e natës dhe baret, kinematë dhe teatrot, do të jenë të hapura ekskluzivisht për të vaksinuarit. Atëherë do të funksionojë aplikacioni dixhital, i cili do të vërtetojë lehtësisht nëse qytetari është vaksinuar.”
Edhe qeveria franceze ka paralajmëruar një vendim të ngjashëm, pra vaksinim me detyrim.
Kjo çështje ngre pikëpyetje të shumta, pasi ende nuk ka të dhëna e studime përfundimtare mbi mbrojtjen që ofrojnë vaksinat, si dhe imunitetin që përftohet nga kalimi natyral i sëmundjes. Po ashtu, vaksinimi i detyrueshëm mund të përfundojë edhe në gjykatë, si një problem i diskutueshëm i të drejtave të njeriut./m.j