Nga Altin Ketro
Të bësh denoncime publike ose në organet e zbatimit të ligjit sa herë ke prova ose dyshon se ka vepra me karakter korruptiv dhe që dëmtojnë buxhetin e shtetit, pra paratë e taksapaguesve, është diçka që duhet përshëndetur dhe mbështetur, pavarësisht se cili e bën atë.
Opozita ka rol parësor në këtë drejtim, sepse ajo mbetet, në teori, aleatja më e madhe e taksapaguesve në luftën kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të fondeve publike. Por në praktikën e opozitës së sotme situata ndryshon, sepse ajo më shumë se një herë ka treguar se bën luftë të njëanshme dhe sipas interesave të saj politike. Në opinionin publik është krijuar perceptimi se kemi të bëjmë më shumë me një opozitë gjobëvënëse, sesa një opozitë parimore sa herë ajo shfaqet me denoncime nga foltorja e SHQUP-it apo në mediat sociale.
Rasti më i fundit është ai që ka të bëjë me aksionin e ndërmarrë nga SPAK-u mbi disa zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në lidhje me një tender me vlera të mëdha financiare ku dukshëm kuptohet që ka pasur abuzime.
Një prej atyre që po mban lart flamurin anti-korrupsion mbi këtë çështje që tashmë po e ndjek drejtësia, është ish-kryeministri Sali Berisha. Në fakt, as ai e as PD-ja nuk kanë asnjë rol në këtë çështje. Merita u shkon dy deputetëve që kanë mandat deri në shtator, Mylsim Murrizi dhe Halit Valteri. Ishin këta që siguruan mjaftueshëm material për tenderin e uniformave të ministrisë së Brendshme, për të krijuar më pas një denoncim prej 32 faqesh drejt SPAK-ut.
Të bën përshtypje emri i zotit Valteri, të cilin kryeministri Rama e vendosi në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, i cili nga sasia e votave që mori renditet në vendin e 22 nga 36 kandidatët e PS-së për qarkun Tiranë.
Rast i paprecedent ky që një kryetar partie që pretendon të mbajë pushtetin, vendos në listat për deputet një kandidat që jo vetëm nuk vjen nga radhët e partisë së tij, por edhe ka bërë denoncim në prokurori për ministra të qeverisë ku ai është kryeministër.
A do mund ta bënte një gjest të tillë, për shembull, ish-kryeministri Berisha?! Absolutisht jo. Këtë e them me bindje dhe e bazoj në fakte.
Në vitin 2006, një prej zyrtarëve të lartë të qeverisë “Berisha 1”, Ing. Arben Meçaj, jep dorëheqjen nga detyra sepse konstaton abuzime të mëdha me fondet publike në dikasterin e transporteve ku ministër ishte Lulzim Basha. Në një sms drejtuar kryeministri Berisha, të cilën zoti Meçaj e ka bërë publike në shtyp, ai i shkruan: “Që në Ministrinë e Ndërtimit po vidhet në mënyrë të paskrupullt, kjo nuk ka më vend për diskutim. Zoti kryeministër, janë vetëm këta apo jeni dhe ju?”.
Jo vetëm kaq, por zoti Meçaj përgatiti edhe dosjen e plotë mbi aferën e famshme të “Rrugës së Kombit”, ku i akuzuari kryesor ishte po Lulzim Basha. Ky i fundit dihet se si e shtyu procesin duke e mbyllur çështjen me procedurë, pra pa u gjykuar, sepse sa herë thirrej në prokurori pretendonte se ishte i sëmurë, kështu që u tejkaluan afatet ligjorë të hetimit.
Natyrisht që ish-kryeministri Berisha nuk mbajti anën e nëpunësit të tij Meçaj, i cili po demonstronte devotshmëri ndaj zbatimit të ligjit e mos shpërdorimit të fondeve publike, por mbajti anën e ministrit Basha të cilin e promovoi në të tjera ministri, më pas si kandidat për kryetar i bashkisë Tiranë dhe së fundi i dhuroi edhe Partinë Demokratike.
Në ato vite kur zoti Meçaj hidhet poshtë karrierën në institucionet publike për hir të ruajtjes të pastër të integritetit të figurës dhe emrit të tij, nuk ekzistonte SPAK-u. Në atë kohë kishte një tjetër formë se si funksiononte dhe organizohej prokuroria.
Prokuroria e kohës kur qeveriste Sali Berisha nuk kishte guxim që t’u shkonte denoncimeve deri në fund kur bëhej fjalë për funksionarë të lidhur me PD-në apo qeverinë e saj. Po as kryeministri i kohës nuk kishte vullnet politik e as moral që t’i “digjte” funksionarët e tij të lartë edhe pse faktet për ta ulërinin fort.
Ishte vetë kryeministri Berisha që u dilte krahë atyre, që u jepte guxim për të qenë të qetë se asgjë nuk do i gjente nga organet e drejtësisë, sa kohë që ai do të ishte në pushtet. Kishte punuar për ditët e vështira duke vendosur në institucionin e akuzës dhe ato të drejtësisë në përgjithësi, njerëzit e tij të besuar që direkt ose indirekt nëpërmjet ish-KLD-së, t’i kishte nën kontroll këto institucione.
Dhe si për ironi të fatit, teksa lexoj se si ish-kryeministri Berisha po i jep zë çështjes së tenderit të ministrisë së Brendshme, po risjell më poshtë një letër të publikuar më 29 mars 2014 në gazetën “TemA”, nga një grup i ushtarakësh të sektorit të logjistikës në ministrinë e Mbrojtjes, ku denoncojnë publikisht me emër një ish-ministër të qeverisë “Berisha” për një tender uniformash ushtarake ku çuditërisht janë po të njëjtat firma të cilat dalin edhe tek tenderi i vitit 2020 i ministrisë së Brendshme. Ky tender përmendet edhe në denoncimin në SPAK të deputetëve Murrizi dhe Valteri, por që në këtë rast tregon hipokrizinë e Sali Berishës i cili për tenderat e ish-ministrave të tij “fsheh kokën në rërë si struci”.
Në rast se prokuroria e vitit 2014, që u trashëgua nga koha e Berishës, do e kishte marrë me seriozitet çështjen e denoncuar në media nga ushtarakët, sot padyshim nuk do të përballeshim me të njëjtat metoda e me të njëjtët personazhe që marrin pjesë nëpër tendera publikë, ku dyshohet se kanë abuzuar me cilësinë, sasinë dhe çmimet e artikujve.
Për arsye etike dhe meqë çështjet janë në hetim dhe personazhet supozohet që janë të pafajshëm deri sa për ta të ketë një vendim të formës së prerë, po përdor iniciale në vend të emrave të cituar nga ushtarakët si dhe kam tjetërsuar emrat e firmave duke i gërmëzuar me tri shkronja.
Ushtria nën mëshirën e pazareve të A.I.
Ne që po ju informojmë jemi një grup oficerësh pranë Brigadës Logjistikë për një problem shumë shqetësues për Forcat e Armatosura dhe për ne si specialist të logjistikës. Shqetësimi ka të bëjë me uniformat tona ushtarake të kontraktuara dhe të ardhura muajt e fundit.
Po ju pasqyrojmë të vërtetën e këtyre kontratave deri në zbatimin e tyre.
Që në ditën që ish-ministri A.I. u emërua në ministrinë tonë dy firma kontraktore kanë qenë mbizotëruese për furnizimin e FA me mallra dhe shërbime. Këto firma janë “xxx” shpk dhe “yyy” shpk. Këto kanë fituar pothuajse të gjitha procedurat e tenderimit, siç janë tenderi skrapit, i municioneve, i veshmbathjes, dhe shitjeve të objekteve ushtarake. Gjithashtu këto firma kanë fituar tenderin e aparatit të përgjimit.
Po ju bëjmë me dije se personi që drejton firmën është ortaku i drejtpërdrejtë i zotit A.I. sepse ka folur dhe bërë presion gjithmonë në emër të ministrit. Duke emëruar gjeneralë dhe oficerë madhorë nëpër detyra, gjithashtu duke hequr dhe hedhur në mes të rrugës oficerët që kundërshtonin.
Tenderi në fjalë është zhvilluar dhe në 2012, por u anulua pasi firma “xxx” (firma e ministrit) nuk u rendit e para në kualifikim.
Pasi fituan tenderin e dhuruar nga A.I., ministër i asaj kohe, me vlerë 1.894.490.280 lekë, duke shkelur të gjitha rregullat e tenderimit dhe duke mos plotësuar asnjë kriter pasi firma fituese është firmë që merret me lavatriçe dhe lavastovilje duke mashtruar shtetin shqiptar për bashkëpunimin me firmat italiane, e lidhën kontratën e parë në korrik të vitit 2013. Ky bashkim i operatorëve ekonomik ishte shoqëria “A.G.” spa Itali dhe “xxx” shpk Shqipëri.
Por në dorëzimin e mallit në etiketat që mbajnë uniformat është firma turke “zzz”. Duke qenë se pushteti ra dhe të marrim çfarë të marrim, ministri në ikje mendoi të lidhi dhe një kontratë tjetër pa tender dhe pa konkurrencë me firmën e vet “yyy” shpk me një vlerë 1.248.441.600 lekë të reja për 4 vjet çdo vit nga të ardhurat me objekt “Blerje kostume kamuflazhi”, duke shkelur me të dyja këmbët për herë të parë në historinë e tenderimit duke dhënë një tender pa shpallje pa konkurrencë me një vlerë kaq të madhe.
Duke ja dhënë një firme të sapokrijuar “yyy” shpk që nuk ka pasur asnjëherë kontrata të tilla, por kjo firmë lindi në momentin që erdhi A.I. në Ministrinë e Mbrojtjes. Tenderin e parë e fitoi “xxx” shpk, kurse të dytin e lidhi me “yyy” shpk.
Për procedurën e parë “Blerje Uniforma Ushtarake” për një periudhë 7 vjeçare është e paargumentuar fondi në kundërshtim me kreun VII, pika 3, shkronja ‘a’ e VKM nr.1 datë 10.01.2007. Kontrata nuk është mbështetur në fonde për periudhën 7 vjeçare. Mungon argumentimi i kontratës 7 vjeçare shkelje me kreun II pika 2 shkronja ‘b’ ku thuhet se autoriteti kontraktor në çdo rast duhet të argumentojë aplikimin e kontratës shumë vjeçare dhe të bëjë llogari të saktë të fondit.
Për procedurën e dytë “Blerje Uniforma Stërvitje” me afat 4 vjeçar nuk janë parashikuar të financohen nga buxheti i MM. Këto shpenzime janë parashikuar të kryen nga të ardhurat që do të realizohen nga MM, veprime këto në shkelje nenin 3 pika 4 e ligjit 9643 dt.20.11.2006. Kohëzgjatja e kontratës e përcaktuar për një periudhë 4 vjeçare është e paargumentuar veprim në kundërshtim me kreun VII pika 3 gërma ‘a’ e VKM nr 1 datë 10.01.2007.
Në kundërshtim me rregulloren miratuar me VKM nr. 1403 datë 27.10.2008 “Për ngritjen dhe funksionimin e Bordit të Modernizimit”, mungon argumentimi pse janë klasifikuar uniformat e stërvitjes për qëllime të mirëfillta ushtarake më qëllim që procedura të përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik sipas ligjit 9643 datë 20.11.2006 aq më tepër duke ju dhënë një firmë që s’ka pasur asnjë lloj lidhje me këto objekte një firmë të sapo krijuar dhe pa asnjë lloj eksperience në këtë fushë.
Gjithashtu kjo kontratë nuk ka asnjë klasifikim të veçantë ushtarak në çështjen e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, dhe pse i është deleguar Brigadës Logjistike për zbatim veprim në kundërshtim me kërkesat e kësaj rregullore. Prokurimet për qëllime të mirëfillta ushtarake kryen vetëm nga Drejtoria e Modernizimit pasi është përgjegjësia e saj të kryen të tilla prokurime.
Të dyja firmat kanë lidhur kontratën që mallrat do prodhohen në Itali të firma “A.G” spa për kontratën e parë dhe për kontratën e dytë te firma turke “zzz”, por ka ndodhur e kundërta, uniforma është qepur në llogoret e nëndheshme të Elbasanit dukë blerë copat në vendet arabe, për këtë ai ka mashtruar shtetin dhe ministrinë tonë duke devijuar nga kontrata pasi në dokumentacionin e paraqitur mallrat do ti prodhonte firma italiane “A.G.” spa dhe “zzz”, por vetëm ca etiketa të kopjuara dhe falsifikuara nga këto firma ua kanë ngjitur në punishtet e Elbasanit mallrave. Këtë fakt mund ta vërtetoni duke kontrolluar dokumentacionin doganor për periudhën shtator – tetor 2013 për të parë nëse këto uniforma janë zhdoganuar. Jemi të bindur që këto uniforma vetëm mall me standarde të NATO-s dhe të qepura në Itali nuk janë.
Mallrat pasi kanë ardhur në depot tona kanë filluar të shpërndahen, por janë jashtë çdo lloj standardi dhe parametri që kemi kërkuar ata kanë manipuluar të gjithë laboratorët që t’i nxjerrin siç janë kërkuar nëpër specifikimet teknike. Produktet që kanë sjellë nuk plotësojnë asnjë kriter dhe s’mund t’i mbajmë dot veshur ne si ushtarak. Ato janë thjesht lecka të zhubravitura. Po të analizohen në laboratorë të pakorruptuara, mundësisht në vendet perëndimore dhe do të vërtetohet që mallrat ushtarakë të ardhura janë jashtë çdo standardi normal, pa folur për standardet e NATO-s, njëkohësisht do të vërtetoni që këto firma nuk kanë pasur dërgesa nga firma italiane “A.G” spa dhe “zzz”. Gjithashtu, u janë shmangur dhe detyrimeve të shtetit duke mos i zhdoganuar, por blerë vetëm copat në vendet arabe. Duke bërë vetëm veprime fiktive.
Nuk po e kuptojmë si nuk po del e vërteta e të bëhet publike. Dhe mallrat që janë këtu na kanë urdhëruar ti shpërndajmë gjë që ne oficerët nuk mund ta kapërdijmë dot.
Firma fituese që bëri dizenjimin e uniformës solli dhe mostrat përkatëse për çdo produkt. Këto mostra që ishin të një cilësie të lartë u zhdukën për t’u zëvendësuar me leckat që ka sjellë firmat dhe ortaku i vetëm i A.I.
Po ju shkruajmë në këtë mënyrë që dhe ne e dimë që nuk është luajale, por duhet të dini që të gjithë drejtuesit e lartë në ministri dhe në Brigadën Logjistike që kanë qenë dhe janë aktualisht akoma në këto poste janë përfshirë në këtë aferë korruptive, duke na detyruar ne si oficerë të heshtim.
Do t’u japim dhe shumë informacione të tjera në lidhje me këtë procedurë anormale që janë zhvilluar.
Ministrja e re nuk mund të vazhdojë dot me këtë lloj firme të korruptuar nga koka te këmbët.
Mallrat që janë në depo duhet të kthehen, sepse ato janë jashtë çdo lloj standardi. Ne nuk e kuptojmë se si po vazhdon ministria jonë me këtë kontraktor punën.
Oficerët e Brigadës Logjistike