Tre ditë më parë SPAK përmes një operacioni ka prangosur 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për abuzime në tenderin e blerjes së uniformave të Policisë së Shtetit me vlerë 2.8 miliardë lekë. Ndër të arrestuarit ishte edhe drejtoresha Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.
Report Tv ka siguruar dosjen e hetimeve të zhvilluar nga SPAK, ku shpjegohet nga autoritetet hetimore se çfarë ka ndodhur gjatë prokurimit dhe si u arrit që një uniformë policie të shkonte në total 2800 euro për katër vite.
Një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk e ka firmosur tenderin, duke ngritur madje shqetësimin për abuzimin që po bëhej. Ajo thotë se nuk ka pranuar t’i nënshkruajë dy tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord. Si dhe nuk ka nënshkruar as dokumentet standarde të tenderit te dokumenti.
Siç tregohet në dosjen e SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke shkelur hapur standardet e garës. Një tjetër pikë problematike është fakti se në një nga tenderat thuhej se 35 milionë lekë do të shkonin për sistemin elektronik të shpërndarjes së uniformave, që nuk u realizua kurrë.
Ky lot i tenderit nënkuptonte që çdo punonjës policie të ishte i pajisur me një kartë që të mund të tërhiqte uniformën e tij, por asnjë prej efektivëve nuk e pati një të tillë, dhe paratë e caktuara në tender janë pervetësuar pa të drejtë nga ana e kompanisë.
Ndërkohë grupi i punës për tenderin e uniformave u krijua në maj të vitit 2019 në Drejtorinë e Shërbimeve mbështetëse në Polici.
Ai të llogariste nevojat dhe fondin për blerjen e uniformave për punonjësit e policisë së shtetit. Ky grup pune ishte me kryetar Janaq Xhelilin, Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës Mbështetëse, Zenel Hyka Shef sektori, Agron Celi shef sektori në drejtorinë e Sektorit Publik dhe Aurora Mulla specialiste për uniformat. Nga ana tjetër një grup pune në Autoritetin Kontraktor me anëtar, Vojsava Copani, Zenel Hyka, Marsida Gargaj kanë bërë një pasqyrë me çmimet e tregut për uniformat.
g.kosovari