Ish-zyrtari i Partisë Demokratike, Alfons Muça ndërroi jetë dje në moshë të re, duke lënë pas shumë dhimbje dhe lot tek familja dhe gjithë të dashurit, miqtë e kolegët.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka bërë një shënim të ndjerë në rrjete sociale, teksa njofton se i dha sot lamtumirën e fundit mikut të tij të shtrenjtë që e njihte prej 16 vitesh.
I trishtuar, Basha i shpreh ngushëllimet prindërve, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ndërsa vetë thotë se gjithnjë do e kujtojë buzëgaz dhe me plot dritë në sy.
Një njeri të mirë, të përkushtuar për demokratët dhe që gjithnjë ishte aty, për të ndihmuar ata që kishin nevojë.
Postimi i Lulzim Bashës:
Sot u ndamë për herë të fundit me mikun tim të shtrenjtë, Alfons Muça. Bashkë na bëri beteja për ndryshim 16 vjet më parë. Vitet që pasuan ishin plot me sfida dhe gëzime, por në çdo rast Fonci ishte i njëjti, kolos i papërkulshëm nga askush dhe asgjë përveç zemërdhembshurisë për të vobektët dhe këdo që përjetonte padrejtësi.
Me vlerat e mbruajtura nga familja e tij fisnike, me forcën dhe durimin e tij, me dashurinë për njerëzit dhe shpirtin e sakrificës, ai spikaste në çdo situatë si njeriu i duhur, në çastin e duhur. Epike janë betejat e tij me dhe për demokratët dhe qytetarët e Laprakës e mbarë Tiranës. Vetëm një mendje dhe zemër si e tij mund ta përballonte kaq gjatë dhe plot dinjitet e paqe këtë betejë të fundit që na e rrëmbeu në lule të moshës vëllain tonë Fonci.
Me shpirt dhe mendje jam sot familiarisht pranë prindërve të tij znj. Sofije dhe z. Aqif, pranë Marinelës dhe vajzave Biorit dhe Rashelës, Dorit dhe gjithë familjarëve të tjerë që humbën njeriun e tyre të dashur. Ndërsa vetë do ta kujtoj përherë mikun tim të shtrenjtë, buzagaz e plot dritë në sy, me lutjet që të prehet në Paqen e Përjetshme!/m.j