Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka folur lidhur me rrezikun e variantit Delta të COVID, edhe pse deri më tani vendi ynë ende nuk ka identifikuar praninë e këtij virusi
Në një intervistë dhënë për televizionin “Klan” kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha se të pavaksinuarit janë grupi më i rriskuar për t’u prekur prej këtij mutacioni si dhe për ta shpërndarë atë në popullatë.
“E veçanta e kësaj periudhe me këtë lloj virusi është fakti i infektimit të personave që nuk janë vaksinuar, por edhe atyre që kanë aplikuar një dozë deri më tani. Ndërsa vaksinimi me të dyja dozat e ka ulur me një përqindje shumë herë më të lartë përhapjen e këtij varianti”, tha Brataj.
Europa është vënë në alarm prej javësh nga varianti indian i koronavirusit që po përhapet me shpejtësi. Vendi ynë ende nuk ka identifikuar praninë e këtij virusi, por risku është prezent. Të pavaksinuarit janë grupi më i riskuar për t’u prekur prej këtij mutacioni si dhe për ta shpërndarë atë në popullatë.
Studimet e kryera në vende të ndryshme kanë nxjerrë në pah se të gjitha llojet e vaksinave sigurojnë mbrojtje ndaj të gjitha varianteve të Covid që janë shfaqur deri tani.
Shqipëria po operon me 4 vaksina për imunizimin e popullatës, Pfizer, AstraZeneca, Sputnik dhe Coronavac. Që prej fillimit të procesit të vaksinimit janë injektuar rreth 987 mijë doza vaksine.
Aktualisht procesi po vijon me personat mbi 50 vjeç, grupet riskut, ndërsa është ofruar mundësia e vaksinimit për çdo person mbi 18 vjeç në ditët e hapura.
g.kosovari