“Tani te ecim perpara e te ndertojme shtepine me te madhe e moderne te Teatrit ne Ballkan, boll humbem kohe me histeri, si me cdo projekt te madh!
Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, lë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar”!
Ky ka qënë reagimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, menjëherë pas vendimit tw sotwm tw Gjykatës Kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar, ku i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës, pasi ka lënë në fuqi vendimin nr. 50 të Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e godinës.
Më konkretisht, trupa gjykuese, vendosi që të rrëzojë kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Sipas këtij akt-ekspertimi të bërë nga Instituti i Ndërtimit, godina e Teatrit Kombëtar, e ndërtuar që në vitin 1938, ka dëmtime dhe përkulje në disa zona të soletës, degradim të sipërfaqes dhe materialeve për shkak të cilësisë dhe vjetërsisë, cedime të dherave në pjesën e skenës rrotulluese dhe degradim të bazamentit mbajtës, ç’ka rrezikon aftësinë mbajtëse të tyre. Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerësonte se kushtet e godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk ishin të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se ishin jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.
Ndërkaq, pranimi i kërkesës tjetër të Metës, që lidhet me procedurën e ndërtimit të Teatrit Kombëtar, nuk passjell ndonjë pasojë, pasi vetë Bashkia e Tiranës është tërhequr kohë më parë nga ligji PPP, sepse qeveria ka vendosur ta financojë vetë ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Një vit më parë, në një deklaratë për mediat, Bashkia e Tiranës njoftoi se u tërhoq nga procedura e ndërtimit me PPP të Teatrit të ri Kombëtar dhe i kërkoi Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin, sipas kërkesave të vetë komunitetit të artistëve.
Ashtu siç tashmë është bërë e njohur, qeveria ka akorduar fondet e nevojshme Bashkisë Tiranë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Vetëm pak ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoj lejen e ndërtimit për nisjen nga puna për godinën e re të Teatrit Kombëtar.