Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot të rrëzojë të gjithë bazën ligjore për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar, ndërsa nuk ka pranuar kërkesën tjetër të Presidentit Ilir Meta për shpalljen antikushtetuese të shembjes së teatrit, duke mos arritur një shumicë prej 5 votash.
E vënë në lëvizje nga Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin nr. 37/2018, për negocimin dhe lidhjen e kontratës me një palë private për projektimin dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Ligji është miratuar në 5 korrik 2018. U kthye për rishqyrtim nga Meta në 27 korrik 2018, por u miratua sërish pa ndryshime nga Kuvendi.
Sipas njoftimit paraprak të Kushtetueses, ky ligj cenon lirinë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare, duke shkelur nenet 3, 11 dhe 17 të Kushtetues.
Ligji parashikonte krijimin e një komisioni me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe Trupa teatrore për shqyrtimin e propozimeve dhe negocimin me palë private për ndërtimin e teatrit të ri. Bashkia e Tiranës është ngarkuar për hartimin dhe administrimin e dokumenteve të procedurës për vlerësimin dhe negocimin e kontratës. Bashkia gjithashtu publikonte shpalljen për aplikimet dhe pranonte projektet nga palët e interesuara. Sipas ligjit, komisioni shqyrton projektet, ndërsa kompanitë mund të ankoheshin tek kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili vlerësonte vendimmarrjen e komisionit dhe në fund merrte edhe vendimin për projektin. Gjithashtu, kryetari i bashkisë do të lidhte kontratën me investitorin. Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar jo të rregullt këtë procedurë.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe vendimin e qeverisë nr. 377 datë 08.05.2020, për kalimin e teatrit dhe truallit në pronësi të Bashkisë së Tiranës. VKM-ja është rrjedhojë e ligjit për ndërtimin e teatrit të ri. Sipas gjykatës, VKM-ja shkel parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës. Presidenca pati kërkuar edhe rrëzimin e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës 50/2020, për shembjen e Teatrit. Kjo kërkesë nuk është pranuar, pasi nuk votuar 5 anëtarë pro saj, që është edhe kuorumi minimal.
Tashmë ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar shkon në dorë të Qeverisë qendrore, e cila do të nisë nga fillimi procedurat pasi prona do të kalojë serish në pronësi të Ministrisë së Kulturës dhe ligji special PPP për ndërtimin e teatrit tashmë nuk mund të jetë më në fuqi.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:
– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.
– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Ligji nr. 37/2018 cenon:
Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.
– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.
Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës;
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Turpi ka emer: -GJK!