Eduart Gushi, Silvana Gushi, Eva Gushi dhe Anastasia Gushi që humbën jetën në aksidentin tragjik të ditës së djeshme, do të përcillen për në banesën e fundit ditën e sotme.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në Patos, në orën 10:00, ndërsa shpenzimet janë marrë përsipër nga Bashkia Patos.
Aksidenti i rëndë u regjistrua mëngjesin e djeshëm në autostradën Fier-Vlorë, ku makina tip ‘Audi’, qe drejtohej nga 22-vjeçari Igli Madani, me shpejtësi skëterrë, përplasi automjetin tip “Toyota”, me të cilin po udhëtonin familja Gushi. Përplasja ka qenë aq e fortë sa makina ‘Toyota’ u shtyp dhe u shkatërrua totalisht. Për shkak të deformimit të madh të pësuar të ‘Toytos’, prindërit dhe dy vajzat e mitura mbetën të bllokuara brenda mjetit dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikëses dhe përdorimi i gurit freksibël për t’i nxjerrë ato.
Aksidenti tragjik tronditi jo pak opinionin publik, duke sjellë reagime të shumta.
Të dy mjetet po udhëtonin nga Fieri drejt Vlorës për të kaluar fundjavën në jug. Makina ‘Audi’ goditi nga pas mjetin ‘Toyota’, por është ende e paqartë nëse ka humbur kontrollin dhe i ka rënë apo mjeti tip ‘Toyota’ ka ndërruar korsi dhe për pasojë është marra para nga ‘Audi’.
Ndërkohë, rezulton se Igli Madani, i cili u arrestua dje nga policia, është një emër i njohur për policinë. Madani me patentë prej 3 vitesh, kishte marrë 8 gjoba, 4 prej tyre për parakalim të gabuar. Ai kishte 2 gjoba për xhama të zinj, 1 gjobë shpejtësie dhe 1 për aksident me plagosje
Ai ishte proceduar më parë për aksident me plagosje në Tiranë, çështje është proceduar dhe pushuar, dhe gjithashtu është hetuar për kanabis dhe përleshje fizike.
g.kosovari