Nga Altin Ketro
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ishin të vetmit kandidatë për deputet të cilët rezultuan fitues në dy qarqe të ndryshme. Në zbatim të parashikimeve të Kodit Zgjedhor, ata u detyruan të zgjedhin se në cilin qark do e ushtrojnë mandatin e deputetit.
Kryetari i PS-së, njëherësh edhe kryeministër i Shqipërisë, ka qenë për dy mandate rresht deputet i qarkut Vlorë. Në zgjedhjet e 25 prillit, ai kandidoi edhe në qarkun Durrës për shkak se ky qark u prek rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Përpara zgjedhjeve zoti Rama theksoi se në rast se do të rezultonte fitues në të dy qarqet, do të zgjidhte atë qark i cili do e votonte më shumë.
Tashmë që rezultatet u certifikuan edhe nga Kolegji Zgjedhor, zoti Rama vendosi të marrë mandatin si deputet i qarkut Durrës, duke lënë kësisoj nga pikëpamja ligjore por jo shpirtërore, përfaqësimin si deputet i Vlorës. Po të krahasosh rezultatet që zoti Rama mori në secilin qark dhe duke iu përmbajtur zotimit të tij parazgjedhor, ai ka vepruar saktë në vendimmarrjen e tij.
Të dhënat statistikore në këto dy qarqe janë përpunuar për 4 indikatorë: zgjedhës në listë, vota të vlefshme, vota për partinë dhe vota për kandidatin.
Qarku Durrës ka 358730 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 153047 vota, nga të cilat PS-ja mori 76924 vota. Nga thesi i votave të PS-së, 15871 vota ishin për kandidatin Edi Rama. Përqindja e votave që ka marrë zoti Rama në qarkun Durrës, në raport me indikatorët e mësipërm është: 4.42% me numrin e zgjedhësve, 10.37% me votat e vlefshme dhe 20.63% me votat për PS-në.
Qarku Vlorë ka 318428 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 101924 vota, nga të cilat PS-ja mori 59024 vota. Nga thesi i votave të PS-së, 11412 vota ishin për kandidatin Edi Rama. Përqindja e votave që ka marrë zoti Rama në qarkun Vlorë, në raport me indikatorët e mësipërm është: 3.58% me numrin e zgjedhësve, 11.2% me votat e vlefshme dhe 19.33% me votat për PS-në.
Nga këto të dhëna, zoti Rama ka rezultatin më të mirë në qarkun Durrës dhe në këto kushte ai ka respektuar jo vetëm votën e popullit, por edhe fjalën e dhënë përpara zgjedhjeve.
Kandidatja tjetër, zonja Kryemadhi, kandidoi në qarqet Fier dhe Tiranë. Me certifikimin e zgjedhjeve edhe ajo u detyrua të zgjidhte njërin nga këto dy qarqe. Në ambientin mediatik bëri bujë se përse ajo zgjodhi të marrë mandatin si përfaqësuese e qarkut Fier dhe jo e qarkut Tiranë.
I gjithë ku debat u ngrit sepse me zgjedhjen e qarkut Fier ajo i dogji karrierën politike në Kuvend nënkryetares së re në moshë, Kejdi Mehmetaj, duke i dhënë mundësinë që të bëhet deputet nënkryetarit tjetër, Petrit Vasili i qarkut Tiranë (ka debate teknike nëse do të jetë ose jo ai). Po ta shikosh në këtë prizëm, duket sikur veprimi i zonjës Kryemadhi është i gabuar, meqë prioritet i kësaj partie ka qenë rinia. Por po t’i hysh llogarive statistikore, gjykoj se ajo ka vepruar drejt. Le t’i shtjellojmë shifrat e zonjës Kryemadhi siç vepruam me zotin Rama.
Qarku Fier ka 403288 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 173525 vota, nga të cilat LSI-ja mori 12312 vota. Nga thesi i votave të LSI-së, 1771 vota ishin për kandidaten Monika Kryemadhi. Përqindja e votave që ka marrë zonja Kryemadhi në qarkun Fier, në raport me indikatorët e mësipërm është: 0.44% me numrin e zgjedhësve, 1.02% me votat e vlefshme dhe 14.38% me votat për LSI-në.
Qarku Tiranë ka 910494 zgjedhës në listat e votimit. Më 25 prill rezultuan të vlefshme 466066 vota, nga të cilat LSI-ja mori 27945 vota. Nga thesi i votave të LSI-së, 2446 vota ishin për kandidaten Monika Kryemadhi. Përqindja e votave që ka marrë zonja Kryemadhi në qarkun Tiranë, në raport me indikatorët e mësipërm është: 0.27% me numrin e zgjedhësve, 0.52% me votat e vlefshme dhe 8.75% me votat për LSI-në.
Nga këto të dhëna, zonja Kryemadhi ka rezultatin më të mirë në qarkun Fier. Në këto kushte, ajo ka respektuar votën e popullit të qarkut Fier i cili, në raport me indikatorët që përmenda më lart, i ka dhënë më shumë vota sesa ai i qarkut Tiranë.
Si përfundim, çdo debat se përse zoti Rama e zonja Kryemadhi vendosën që të përfaqësojnë popullin e qarqeve Durrës dhe Fier, duhet të konsiderohet i mbyllur. Të dy ata kanë bërë zgjedhjen e duhur, të drejtë dhe që respekton vullnetin e elektoratit që i ka votuar në secilin qark në raport me qarkun tjetër.
TemA