Nga Carlo Bollino
Ka diçka groteske dhe paradoksale në zgjedhjet që u zhvilluan për emërimin e kryetarit “të ri” të Partisë Demokratike. Tre kandidatët në garë, që njohin si legjitime votën e 25 prillit, tani akuzojnë për manipulime të bujshme Lulzim Bashën, i cili deri tani ka përkufizuar 25 prillin si një masakër zgjedhore. Në realitet, nuk është hera e parë që Lulzim Basha vjedh zgjedhje. E bëri personalisht në 2011, për t’u zgjedhur kryebashkiak i Tiranës, dhe me të ngjarë e ka ribërë kur në 2013 u zgjodh pasues i Sali Berishës, dhe e ka bërë me siguri në 2017, për t’u rikonfirmuar lider i opozitës së mundur. Skenari u përsërit dhe dje, në këto zgjedhje farsë që kujtojnë në formën e abuzimeve një tjetër etapë historike të Partisë Demokratike: masakrën zgjedhore (ajo po e çertifikuar) në maj 1996.
Denoncimi i bërë nga Agron Shehaj, një nga kandidatët në garë që akuzon Bashën për manipulime, duket fotokopja e denoncimeve që në maj të 1996 e çuan Partinë Socialiste që të tërhiqej nga zgjedhjet ndërsa procesi ishte ende në zhvillim e sipër:
“Në një pjesë të madhe të vendeve të votimit vëzhguesit e mi po përjashtohen, po ndalohen apo po pengohen që të monitorojnë procesin. Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë procesi i votimit po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati. Gjithashtu, në degët e mëposhtme, vëzhguesit e mi të pranishëm po mbahen larg dhe nuk po iu lejohet që të verifikojnë nëse ata që po votojnë kanë të drejtë të votojnë apo jo. Pra nëse janë në lista apo kanë kartë anëtarësie. Kjo gjë po ndodh aktualisht në degët 2, 7, 12, 16 të Tiranës, në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat. Madje në Devoll dhe Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll. Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së. Na njoftuan që në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë”, denoncoi Shehaj.
Kësaj i shtohet fakti se komisioni zgjedhor ishte i përbërë vetëm nga një anëtar, Jemin Gjana, bashkëpunëtor besnik i Lulzim Bashës. Lista e anëtarsisë, pra zgjedhësve, janë të rishikuara, duke ulur nga 106.000 që ishin, në 75,000. Shumë anëtarë te tjera (pra zgjedhës) janë shtuar pa ndonjë kriter të njohur, ndërkohë që serverat me gjithë emrat i ruan ish deputeti i PD-së Hendri Hasa, njeriu i superbesuar i Lulzim Bashës, “ndershmëria” e të cilit kujtohet që nga koha që drejtonte tenderat milionerë të AKSHIT-t.
Mes të përjashtuarve nga lista e votuesve të PD-së, janë shumë anëtarë që përmes Facebook-ut kishin shprehur mbështetjen e tyre ndaj një prej tre kundërshtarëve të Bashës. Nje nga të përjashtuarve, për shembull, është edhe themeluesi i PD-së në Sarandë, i cili pastaj ka arritur të votojë. Një gafë dopio, që konfirmon jo vetëm përjashtimet selektive, por edhe mundësinë për të votuar edhe pa qenë më në listën e zgjedhësve.
Gjithë degët e PD-së që nga faqet e Facebook-ut të tyre, janë vënë në dispozicion të fushatës së Lulzim Bashës, ndërkohë, siç ka bërë më parë vetëm Enver Hoxha, në zyrat e PD-së ku votohet, sot janë afishuar pankarde gjigante me foto të Lulit! Nderkohë në media janë publikuar faktet se votuesit e Bashës, vazhdojnë t’i çojnë fotografitë e bëra me celular, se ia kanë dhënë votën, duke treguar se vota as nuk është fshehur.
Siç ndodhi në 1996 për PD-në, edhe këtë herë, pritet “triumfi” i Lulzim Bashës dhe me të ngjarë, manipulimi do të jetë aq flagrant që në fund do të manipulojnë nga e kundërta, domethënë, do të ulin përqindjen e fitores për të “mos e ekzagjeruar”. E njëjta fjali e përdorur nga Tritan Shehu në 1996 kur i duhej të shpjegonte se përse në disa zona partia, e të cilës ishte kryetar, kishte marrë 106%. Pikërisht për të kalibruar rezultatin sipas nevojave të Bashës dhe duke u përpjekur për ta bërë të besueshëm, Gjana ka kërkuar kohë deri nesër për të deklaruar rezultatin e votës.
Se kush do të fitojë, është e pritshme. Po për çfarë i duhet të drejtojë që nga nesër Lulzim Basha, tashmë një parti thellësisht të ndarë, e sidomos të zbuluar në pikën thelbësore të një force demokratike: aftësia për të zhvilluar zgjedhje trasparente dhe demokratike?
Nëse PD në sekretin e shtëpisë së vet dhe larg nga sy të huaj abuzon me votën e zgjedhësve si po bën në këto orë, si pretendon të jetë e besueshme kur nesër do të rinisë të akuzojë Partinë Socialiste se ka manipuluar zgjedhjet e 25 prillit të bëra nën sytë e të gjitha forcave politike, të çertifikuara nga komisione zgjedhore pluraliste dhe të njohura si legjitime edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë? Në të vërtetë akuzat për masakër zgjedhore të bëra nga Basha ndaj kundërshtarëve, dhe procedurat e votimeve brenda partisë qe po zhvillohen sot, tregojnë se ky lider i ri PD-së ka trashëguar nga kapoja i tij i vjetër Sali Berisha edhe sëmundjen e tij më kronike: akuzën e të tjerëve, për krime që i ka bërë vetë.