Ish-kryeministri dhe lideri historik i së djathtës, Sali Berisha, ka ndërruar rrugë.
Sali Berisha, njeriu i cili prej 2013-s dha dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i partisë dhe që për 8 vite me radhë mbushi mendjen madje, edhe talli të gjithë ata që nuk e besuan se ai nuk u largua kurrë nga ajo detyrë, tha vetëm tre ditë para zgjedhjeve brenda partisë se, ai mund të rikthehej.
“Kurrë mos thuaj kurrë! Never say never. E kam përdorur me Ramiz Alinë dhe e përdor prapë, pasi sot kam ndërruar rrugë dhe po i heq të gjitha pengesat e mia.
Nuk përjashtoj asnjë të drejtë time kushtetuese më. Kategorikisht…”, tha Sali Berisha duke qenë për herë të parë vetvetja teksa pohimin e tij e shoqëroi me një përplasje të lehtë dore në tavolinë, një xhest ky që për këdo që e njeh, e merr seriozisht atë që thotë.
Sali Berisha, që vetëm një ditë pas shpalljes “non grata” të Departamentit të Shtetit amerikan, do të njoftonte se beteja e tij do të ishte personale, por që pakkush e besoi sa kohe që nuk hiqte dorë nga mandati i deputetit, kësaj here e tha troç.
Ai nuk ka ndërmend ta shkëpusë PD-në nga “halli” i tij personal e aq më pak të mbrojë “dinjitetin” e tij dhe të familjes së tij pa përfshirë partinë më të madhe të opozitës.
Në momentin më kyç të emrit të tij në politikë, dhe të ardhmes së familjes së tij në raport me ligjn, Sali Berisha sfidoi më shumë sesa SHBA të ardhmen e Partisë Demokratike.
Sali Berisha për herë të parë theu postulatin e pashkruar për të se çfarë ai premtonte, e mbante.
Ai theu deklaratën tij të vitit 2013 vetëm pak muaj pas dhënies së dorëheqjes se “PD ka kryetarin e saj, të zgjedhur nga 80 për qind e anëtarësisë”.
Ai theu qëndrimin e tre vite me pas se Sali Berisha nuk do të kthehet më në krye të PD-së… “Jo. Nuk ndodh kjo. Nuk kam interes personal. Gjithçka bëj aty, gjithçka them, gjithçka shkruaj e bëj për një qëllim, të mbroj interesin publik siç e gjykoj unë”.
E përsëriti në 2017.
“…Betejat e Sali Berishës në lidership kanë marrë fund. Unë nuk kam ndërmend as të largohem nga PD. Një po mbeti, aty do të jem. E dyta, kryetari aktual, ai që do të vijë duhet të dijë se PD nuk është pronë e Sali Berishës. Ata që nuk e kanë kuptuar këtë, nuk kanë marrë vesh asgjë nga kjo parti…”
E përforcoi në 2018-ën. “Unë nuk jam i gatshëm të marr asnjë rol, përveç këtij roli që kam. Jam njeri i tërhequr dhe i dorëhequr.
Unë besoj se ky grup, të gjithë, këta ish-drejtues, Basha dhe drejtuesit e tjerë aktualë, i kanë të gjitha mundësitë dhe potencialet, që në interesin më të mirë të Shqipërisë e shoqërisë shqiptare, por edhe miqtë e PD janë thellësisht të interesuar që PD të konsolidohet në të gjitha kontributet e veta, të gjejnë rrugën dhe vazhdojnë betejën…”
Në po të njëjtin vit u shfaq i përlotur dhe i emocionuar. “Epoka Berisha është mbyllur njëherë e përgjithmonë, largimi im është pa kthim….”
Berisha, i hatërmbetur se PD nuk e mbrojti aq sa ai do donte në raport me SHBA, por edhe i mendimit të shprehur se partia e kishte një “komandat”, ka ndërruar projekt, siç u shpreh vetë ai.
I vetmi postulat i tij që nuk ka ndryshuar është qëndrimi në raport me familjen.
“Çfarë do që të kenë bërë fëmijët e mi, e kam bërë unë. Nuk e thotë kush tjetër këtë. Dhe po të nxjerrë dikush një fakt për fëmijët e mi, cilido, e ka bërë Sali Berisha…”
E gjitha kjo vetëm tre ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të partisë kur Lulzim Basha, qysh prej zgjedhjes në krye të 2013-ës (me bekimin e vetë Sali Berishës), ndodhet në kuotat e tij më të ulëta politike, por jo në atë të anëtarësisë.
Dikush nga kundërshtarët e tij ka thënë se, “nëse Berisha largohet nga PD, largohet edhe Basha. Ose largohen të dy, ose asnjëri”
A vlen ky vëzhgim edhe për këtë rast? Kur ndodhemi në të tjera kushte, me një zhvillim krejtësisht të ri jo vetëm për atë, por edhe për Bashën brenda partisë…(SI)/m.j
O Plak Kari Vdeksh Ti dhe Ta qe Te duriojne shqipot e karit