Dy raste të virusit vdekjeprurës të majmunit janë konfirmuar ditën e sotme në Mbretërinë e Bashkuar. Dailymail shkruan se Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock njoftoi se vendi po merrej me një ‘shpërthim’ të një virusi të rrallë.
Sekretari i Shëndetësisë e përshkroi situatën si ‘absolutisht standarde’ dhe këmbënguli se ai merrej me ‘këto lloj shpërthimesh gjatë gjithë kohës’. Por ai nuk dha detaje për sa pacientë ishin infektuar ose nëse virusi po përhapej në Britani së bashku me koronavirusin.
Ndërkohë që Shëndeti Publik në Uells bëri të ditur se me këtë virus janë infektuar 2 persona në Uells. Gjithashtu u bë e ditur se personat e infektuar ishin nga e njëjta familje, por nuk u bë publik as identiteti i tyre dhe as mosha.
Sëmundja e rrallë tropikale, e cila shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe flluska në lëkurë, shkaktohet nga një virus i përhapur nga majmunët, minjtë, ketrat dhe gjitarët e tjerë të vegjël. Mund të përhapet midis njerëzve përmes kontaktit lëkurë në lëkurë, kollës dhe teshtitjeve, si dhe duke prekur çdo rrobë ose shtrat të ndotur.