Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në “News 24” deklaroi se Shqipëria është përfituesja më e madhe e mini-Shengenit Ballkanik.
Kjo, sipas numrit dy të PS, për shkak se Shqipëria ka bregdet dhe per kete arsye përfiton më së shumti ekonomikisht.
“Nëse mund të bëja thjesht një parantezë lidhur me çështjen e mini-Shengenit ballkanik, besoj se është një arritje e të gjitha vendeve.
Kjo nisi si iniciativë trepalëshe për t’u kompletuar në tre vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, të gjithë e dimë që është paradhoma e procesit tjetër, qoftë të integrimit, qoftë të Shengenit.
Kemi vende anëtare të BE që ende nuk janë pjesë e Shengenit. Nuk ka proces të integrimit pa heqje kufijsh dhe një lloj integrimi që të na sjellë fluks më të madh të lëvizjes së lirë.
Rruga për në BE është një rrugë e shkelur, duhet të ndjekim atë rrugë që kanë ndjekur vendet e tjera.
Të mos harrojmë se bregdetin më të bukur nga vendet e Ballkanit Perëndimor e ka Shqipëria, ndaj do të përfitojmë më shumë ekonomikisht”, tha Balla.
Taulant Balla vlerësoi se Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrat për hapjen e negociatave, kurse shtoi se edhe Vendet e Ulëta janë dakord me hapjen e negociatave për vendin tonë.
“BE duhet që të liberalizojë vizat me Kosovën. Edhe BE është bërë më aktiv në rajon. Bashkimi Europian po përfshihet më shumë kohët e fundit, për shkak se shumë vende kanë pakënaqësi në raport me integrimin. Shqipëria tani ka plotësuar të gjitha kushtet.
Kur edhe Vendet e Ulëta e thonë këtë, kjo do të thotë se jemi afër hapjes së negociatave. Negociatat janë stacioni i parafundit në rrugën drejt BE-së. BE tashmë po mendohet se kjo hapësirë e Europës të integrohet në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.