Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore të DVP Durrës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Binomi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Barim Flora, 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”; Ardjan Gjoka 33 vjeç dhe Jemin Flora 33 vjeç, banues në Tiranë.
Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.
Bazuar në këto prova, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues Jemin Flora dhe pasagjerë Barim Flora dhe Ardjan Gjoka, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale: “1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4; 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol; 3 granata dore luftarake; 4 aparate telefoni celular. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.
Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak.
Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
/b.h