Të hënën (31 maj) Komisioni Evropian u propozoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së që gradualisht të lehtësojnë masat e udhëtimit gjatë verës.
Ashpërsia e pandemisë në BE është zbutur, ndërsa numri personave të vaksinuar kundër COVID-19 po vazhdon të rritet.
Komisioni Evropian është duke bërë përpjekje që të harmonizojë masat e udhëtimit që do të vlenin për të gjitha vendet anëtare.
Komisioni tha se propozimi i tij është që njerëzit plotësisht të vaksinuar duhet të përjashtohen nga testimi ose karantina kur udhëtojnë nga një vend i BE-së në një tjetër.
Komisionari për Drejtësi, Didier Reinders, ka prezantuar propozimet e masave të reja, sipas së cilave personat të cilët do të kenë certifikatën digjitale COVID-19, përmes së cilës dëshmojnë se kanë marrë dozën e fundit të vaksinës kundër COVID-19, nuk duhet t’u nënshtrohen asnjë mase kufizuese.
Për një mundësi të tillë, ata duhet ta kenë marrë dozën e fundit të vaksinës më së paku 14 ditë para udhëtimit.
E njëjta e drejtë do të duhet të vlejë edhe për personat të cilët dëshmojnë se e kanë kaluar infektimin nga ky virus. Të miturit që udhëtojnë në shoqërinë e atyre që gëzojnë këto mundësi do të duhej të kenë të njëjtat të drejta.
Për të tjerët, Komisioni Evropian ka propozuar që masat të zbatohen varësisht se nga cila zonë arrijnë në BE.
Për ata të cilët arrijnë nga zonat e gjelbra nuk do të ketë asnjë masë kufizuese. Për ata që arrijnë nga zona portokalli do të kërkohet vetëm testi negativ, por jo edhe karantina.
Për ata që arrijnë nga zonat e kuqe do të kërkohet karantinë vëtëm derisa të jenë në pritje të rezultatit të testit.
Vetëm për qytetarët që vinë nga zona “e kuqe e mbyllur”, pra ato që kanë një situatë të rëndë epidemiologjike, do të kërkohet testimi dhe karantina.
Komisioni Evropian para disa ditësh kishte arritur një marrëveshje me Parlamentin dhe Këshillin e BE-së për certifikatat digjitale të COVID-19.
Me këto dokumente do të dëshmohet se personi është vaksinuar, ose se e ka kaluar këtë sëmundje, ose se e ka rezultatin e testit ndaj virusit COVID-19.
Komisioni ka propozuar që PCR testet të pranohen me afat prej 78 orësh, ndërsa testet e shpejta – antigjen të jenë të vlefshëm për 48 orë.
Komisioni Evropian është duke diskutuar edhe me shtetet tjera që të kenë një njohje të ndësjelltë të certifikatave të COVID-19 në mënyrë që të lehtësohet udhëtimi edhe nga ato shtete.
/a.r