Nga Shpëtim Luku
Gazetari i njohur, Andrea Stefani e la këtë jetë si një njeri i keqkuptuar dhe i mallkuar nga jo pak vetë. I përjetoi në të gjallë, por ato e shoqëruan edhe ditën që ndërroi jetë. “Komunist”, “armik i betuar i opozitës” ishin disa nga epitetet kryesore që, pikërisht militantë trushpëlarë të opozitës, i adresonin pa kursim Andreas. Dhe kjo ndodhte sepse analisti i njohur në studiot televizive ku merrte pjesë si opinionist shprehte rezervat e tij, shpaloste kritikat e tij për opozitën pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013.
I bindur për dobinë e saj si një institucion i rëndësishëm për vendin, për rolin e saj si korrektuese e pushtetit, si amortizuese e pushtetit, si “kërcënuese” e pushtetit, Stefani kishte kuptuar herët, që në çastet e para të ndërrimit të pushtetit, taktikën djallëzore të PD dhe aleatëve të saj. Pa kryer asnjë analizë reflektuese rreth shkaqeve që çuan në humbjen elektorale, pa reforma reale brenda forcës më të madhe politike të opozitës, për Stefanin kjo mënyrë veprimi nuk premtonte kurrë ti krijonte vendit ato të mira që i sjell një opozitë serioze. Një opozitë e besueshme. Një opozitë e ripërtërirë nga ana morale.
Dalja në prapaskenë e Sali Berishës, e maskuar si dorëheqje, ndërhyrja në procesin e zgjedhjeve brenda PD-së, duke emëruar Lulëzim Bashën, ishte shfaqja më e dukshme e dëshirës për mosndryshim, e dëshirës për mosreflektim nga ana e PD. Dhe Andrea Stefani nuk u lodh kurrë së mëshuari këtij fakti. Aq sa shumë të ashtuquajtur analistë pro opozitës, por që në fakt janë thjesht shërbëtorë të saj, filluan shpesh ta stigmatizonin në debate me shprehjen kinse ironike: ë Andrea, fajin e ka Saliu?!
Po ore po, fajin për këtë gjëndje ku ndodhet Partia Demokratike sot, fajin për mjaft probleme që i janë krijuar shoqërisë shqiptare e ka Saliu. Mirëpo budallain nga intelegjenti, përveç shumë e shumë gjërave të tjera i dallon edhe fakti se budallenjtë duan të konsumojnë një fuçi verë për të krijuar idenë për cilësinë e saj, ndërkohë që intelegjentit i mjafton një gotë.
Andrea Stefani nuk u lodh kurrë duke nënvizuar këtë gjë thelbësore. Sigurisht, nuk ishte i vetmi që mendonte në këtë mënyrë, por në dallim nga të tjerët kishte edhe kurajon e formulimit e artikulimit të çështjeve të tilla, por edhe mundësinë, vendin e duhur ku të shpaloste pikëpamjet e tij. Ndaj, i duhej të përballonte edhe lumin e vrerit, breshëritë e sharjeve e të mallkimeve nga fanatikë të opozitës, të cilëve Andrea Stefani guxonte tiu prekte prijësin. “Nëse do tiu thuash njerëzve të vërtetën, fillimisht bëji të qeshin sepse ata të vrasin për këtë”- thotë Bernard Show.
Andrea Stefani ka 5 vite që është ndarë nga jeta. Por zhvillimet në përgjithësi e ato politike në veçanti gjatë kësaj kohe që ai nuk është më mes nesh kanë verifikuar saktësinë e analizave të tij. Sot PD, pas humbjes së tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare ndodhet përpara nevojës së ndryshimit real, ku veprimi më i rëndësishëm është ndarja nga ndikimi i Sali Berishës. Ndaj, të dashur militantë të opozitës është koha për një kërkim ndjese kundrejt Andreas.
Falje?!! Pse kush kerkon? Kur njehere nje shok me kerkoi falje, i putha duart sikur te ishte gjyshja ime.