Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga ana e Kreut të Shtetit.
Kushtetuesja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën, ndërsa ka pushuar gjykimin për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në vendim, Gjykata thekson se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
NJOFTIMI I PLOTE:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:
– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
GJK qe prodhon kriza jo qe zgjidhe kriza!
Rama @Meta jane dy gjysma te plotèsisé se korrupsionit problematik shqiptar.