Epidemiologu Ilir Alimehmeti është i mendimit se ka ardhur koha e lirimit të masave kufizuese në vend, për shkak të situatës të stabiluar nga COVID-19 dhe afrimit të sezonit veror.
“Maska në ambientet e hapura që de facto në shumicën dërrmuese të rasteve në fakt nuk po përdoret, bën sens që ta heqim dhe nga letra. Masa e dytë që është pak më e fortë është kufizimi i lëvizjes, bën edhe kjo shumë sens që mos të ketë më kufizim të lëvizjes. Nëse çiftohet edhe me hapjen e aktiviteteve, kjo është masë akoma dhe më e madhe por ndoshta ka ardhur momenti dhe për heqjen e saj”-u shpreh Ilir Alimehmeti.
Bazuar në shifrat e të infektuarve dhe shtrimeve në spitale Alimehmeti thotë se një element i rëndësishëm që duhet diskutuar është funksionimi i “Shefqet Ndroqi” si një spital COVID.
“Është element i rëndësishëm sepse pacientët e tjerë kanë nevojë për ndihmë. Ndoshta do menduar nëse ka ndonjë mundësi që ti shërbejë të dy llojeve të pacientëve. Me faktin që kemi dhe disa spitale rajonale në lojë, ndoshta mund të diskutohet edhe krejt mbyllja e COVID 2”-tha epidemiologu Alimehmeti.
Duke bërë një krahasim me verën e kaluar, epidemiologu thotë se këtë vit përqindja e qytetarëve që e kanë kaluar COVID është më e lartë.
“Duhet evituar përdorimi i restoranteve në ambiente brenda, të përdorim sa më shumë ambientet e jashtme me distancë. Në krahasim me verën e kaluar kur përqindja e atyre që e kishin kaluar ishte shumë e ulët, përqindja që e ka kaluar këtë verë është shumë e lartë e si rrjedhojë ne nuk kemi për ta kuptuar kurrë asnjëherë kur shohin 100 vetë se sa prej tyre e kanë kaluar, por ata kanë informacion për veten dhe kanë informacion për familjen dhe grupin e tyre të ngushtë shoqëror. 2020 ishte shkujdesje e plotë, tani ata kanë dhe informacion, kështu që mund të mos jetë shkujdesje e painformuar, mund të jetë e informuar”-tha ndër të tjera epidemiologu Ilir Alimehmeti.
Sipas Alimehmetit, në bazë të studimeve që janë kryer, imuniteti natyror, që krijohet nga kalimi i virusit mund të zgjasë edhe mbi një vit./ b.h