Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve, ndërsa prokuroria tregoi provat që ka në dispozicion.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që të katërtit janë deklaruar të pafajshëm dhe që nga nëntori i vitit 2020 gjenden në paraburgim në Hagë.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Pierre Richard Prosper, njëri nga avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e sotme paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është ankuar në lidhje me informacionet që i janë ofruar nga Prokuroria.
“Informacioni që është vënën në dispozicion është pothuajse i palexueshëm. Dokumentacioni që na është dhënë nuk është i plotë, është i një kualiteti shumë të dobët. Besojmë që duhet nxjerrë më shumë informacion”, theksoi avokati.
Në seancën që po vijon të mbahet në Hagë, Prokuroria po arsyetohet në lidhje me vonesat e ndryshme për ofrimin e dokumentacionin, ndërsa avokatët e të akuzuarve theksojnë vërejtjet e tyre, që kanë të bëjnë kryesisht në lidhje me materialet e ofruara nga organi i akuzës.
g.kosovari