Tenderat, kontratat administrative dhe shpenzimet që lidhen me pritjen e delegacioneve të huaja do të jenë që të gjitha në dorë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka deleguar një sërë kompetencash që lidhen me shpenzimin e parave dhe administrimin e institucionit që drejton te Sekretari i Përgjithshëm, Armand Skapi.
Delegimi përfshin organizimin dhe fillimin e procedurave të prokurimit të institucionit me fondet publike, në cilësinë e zyrtarit të autorizuar; nënshkrimin e kontratave administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi; miratimin e shpenzimeve financiare për veprimtaritë protokollare, pritjen, përcjelljen dhe trajtimin që u bëhet delegacioneve të huaja, deri në vlerën 800.000 (tetëqind mijë) lekë.
Kompetencat e deleguara të titullarit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme do të ushtrohen nga Armand Skapi deri në fund të këtij viti. Sipas urdhrit të Xhaçkës, vetë Skapi nuk mund t’i delegojë këto kompetenca te persona të tjerë.
Olta Xhaçka u emërua ministre për Europën dhe Punët e Jashtme në fillim të këtij viti, duke zëvendësuar në këtë post Edi Ramën, që gjithashtu ia kishte deleguar kompetencat Gent Cakajt. Vendi i lënë bosh nga Xhaçka te Ministria e Mbrojtjes u plotësua nga Niko Peleshi./ b.h