Hetimet për krimet zgjedhore kanë qenë në vëmendje të një takimi që Kryeprokurori Olsian Çela ka pasur në Prokurorinë Gjyqësore në Fier. Në përfundim të takimit, Çela tha se ka pasur një numër të konsideruar të çështjeve që janë hetuar, duke paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë rezultate që do të bëhen të ditura edhe për publikun.
“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e hetimit të krimeve zgjedhore nga ana e Prokurorisë gjyqësore Fier. Janë disa takime që po bëhen në disa nga prokuroritë kryesore të vendit në lidhje me krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që nga Prokuroritë të tregohet kujdes maksimal për hetimin e plotë dhe të shpejtë si dhe për të treguar transparencë ndaj publikut dhe mediat.
Ka pasur një numër të konsiderueshëm të çështjeve që janë hetuar dhe është marrë një vendim. Prokuroria e Fierit është duke vlerësuar maksimalisht dhe bashkëpunimi që kanë me agjencitë e tjera. Shumë shpejt do të kemi rezultate dhe që do ti bëhen të ditura edhe publikut”, tha Çela.
Ai rendit edhe një arsye tjetër për të cilën zhvilloi takime në Fier: “Arsye e dytë ka të bëjë me hetimet pasurore dhe me funksionimin e një seksioni të posaçëm që prokuroria e rrethit gjyqësor fier ka sa i përket pastrimit të produktit të veprës penale dhe evazionit fiskal. Ka rëndësi për rritjen e efikasitetit në drejtim qoftë të hetimeve për pastrimin e parave por edhe në raport me zbatimin e ligjit antimafia”.