Nga Altin Ketro
Përpara zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha kishte si ide që nëse do dilte fitues, do të kufizonte në dy mandate postin e kryeministrit. Ndonëse kjo ishte diçka e parealizueshme sepse do kërkonte një shumicë votash që ai nuk do t’i kishte në Kuvend, gjithsesi vlen si një arsye për ta përdorur si argument në raste të ngjashme.
Një rast shumë i volitshëm është momenti aktual ku Lulzim Basha ka konsumuar dy mandate në krye të Partisë Demokratike dhe, duke u bazuar tek ideja e tij, ai duhet ta linte drejtimin e partisë, jo vetëm sepse humbi zgjedhjet.
Fakti që ai insiston që të rikandidojë për një mandat të ri në krye të PD-së, nxjerr në pah falsitetin e tij kur përbetohej për vetëm dy mandate që duhet të ketë kryeministri.
Është e drejta e tij që të heqë dorë prej parimeve, ndonëse këto dyfytyrësi të tij janë një prej shkaqeve themelore që ai nuk ngjit në elektorat për çfarëdolloj angazhimi që deklaron se do ta bëjë.
Për shembull, përpara zgjedhjeve ai shpalosi plot entuzizëm të ashtuquajturin proces i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë ku siç theksoi, jo vetëm që kishte marrë modelin e konservatorëve britanikë, por këmbëngulte që ky proces përzgjedhës i PD-së, duhet të të kopjohej edhe nga partitë e tjera të rajonit.
Të gjithë e dimë se si i dështoi ai proces i cili nga bashkues u kthye në përjashtues, gjë që nxiti një sërë konfliktesh brenda strukturave me akuza e kundër-akuza. Në fund, komisionit të ngritur me aq bujë prej tij, ku nuk harronte të theksonte se kishte në përbërje edhe kritikë të tij, nuk ia mori për bazë vendimmarrjen, kësisoj i gjithë plani i tij i marketingut politik i shkoi dëm.
Pas zgjedhjeve të humbura të 25 prillit, Lulzim Basha ka nisur një tur nëpër Shqipëri për të justifikuar dështimin e radhës, duke përzgjedhur vend e pa vend togfjalëshin luftarak “masakër elektorale”, i cili nuk vlen as si metaforë.
Edhe kur përmend Ramën, Doshin dhe Rakipin si simbol të “masakrës” bën gafë të rëndë. Nuk e di cili ia shtënë në mendje këtë përzgjedhje tinëzare emrash kur dihet që Doshi vjen nga skaji më Verior i Shqipërisë, Rama nga hapësira Tiranë- Durrës, pra Shqipëria e Mesme, kurse Rakipi prej skajit më Jugor të Shqipërisë. Shpresoj që të mos këtë pasur ndërmend këtë prejardhje gjeografike kur i përmend si emra të përveçëm.
Turi i Bashës nëpër Shqipëri përbën një avantazh në raport me pjesën tjetër të atyre që kanë dalë kundër tij në PD. Një prej justifikimeve të Lulzm Bashës për humbjen është se Rama përdori administratën qendrore dhe vendore në zgjedhje, si dhe fondet publike dhe kjo ishte një avantazh për të.
Që të mos jetë hipokrit në këtë aspekt, ai duhet të japë shembullin e vetë personal dhe të çlirohet nga çdo avantazh që i jep detyra e kryetarit me kompetenca e me fonde, në raport me sfidantët e tij.
Kjo nuk do të thotë që ai të bëjë skena që nuk ngjisin si ajo e vitit 2017 ku u “vetë ngri” nga detyra, por për asnjë çast nuk u shkëput prej saj.
Pas dy mandateve në krye të Partisë Demokratike dhe pas 4 humbjeve në rang kombëtar dhe vendor, Lulzim Basha duhet të futet në garën për kryetar të PD-së më 20 korrik, si i barabartë me kandidatët e tjerë.
Ai duhet të çlirohet plotësisht nga funksioni që mban si kryetar i partisë dhe këtë duhet ta bëjë me vendosmëri duke qenë i vërtetë.
Por, edhe nëse bën një shkëputje formale, që të jetë i besueshëm ai nuk mund t’ia delegojë kompetencat e përkohshme të drejtimit të partisë dhe të procesit zgjedhor atyre që i ka promovuar vetë në parti, që pësuan vetë disfatë të rëndë në zgjedhje, të cilët do jenë të paragjykuar.
Lulzim Basha nuk ka se çfarë humbet më shumë se çfarë ka humbur qyshkur se erdhi në krye të PD-së në korrik 2013. Ai nuk duhet të mendojë më për karrierën e vetë personale, por për të ardhmen e Partisë Demokratike. Ai duhet të luftojë për bashkimin dhe jo për përçarjen e saj.
Që t’ia arrijë kësaj, Lulzim Basha duhet që të jetë i barabartë mes të barabartëve. Kjo është e vetmja mënyrë që ai të dalë i fortë nga gara për kryetar në rast se do të fitojë besimin e elektoratit demokrat.
Prandaj, do t’i sugjeroja që në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ai t’ia delegojë drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, zotit Bujar Nishani. Ai është shfaqur ditët e fundit si kritik i Bashës dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm për t’i dhënë besueshmëri garës.
Pasi Lulzim Basha të jetë çliruar nga çdo avantazh që i jep detyra që mban; pasi drejtimin e përkohshëm të partisë e të procesit zgjedhor brenda saj ta marrë një kundërshtar i tij i cili nuk ka ambicie për ta konkurruar; pasi të mos përdorë si dekor mbështetës në çdo bashki deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, atëherë mund të themi që Lulzim Basha është i denjë për të kërkuar një mandat të tretë edhe pse vjen nga disa humbje.
Nëse ia del të fitojë me këto disavantazhe, ai do të dalë shumë herë më i fortë brenda partisë, sepse edhe kritikët e tij të sotëm nuk do të kenë më asnjë alibi për ta akuzuar.
Nëse nuk ndërmerr hapa kaq të fortë tani, kur ndodhet dy muaj përpara zgjedhjeve, ai vërtetë mund ta “fitojë” garën me veten më 20 korrik, por askush nuk do e marrë më seriozisht si kryetar. Po nuk fitoi me meritë partinë, ta harrojë se do fitojë ndonjëherë Shqipërinë!