Deputetja e PD-së Jorida Tabaku e ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga thotë për DritareTV se ish-kryetari i PDIU-së Aqif Rakipi prej dy vjetësh i është ofruar kryetarit Lulzim Basha për t’u bashkuar me PD-në.
Tabaku u shpreh se Basha e refuzoi dhe pas kësaj ai futi të birin, Orlando Rakipin në Partinë Socialiste, ku doli edhe i treti me më shumë vota në zgjedhjet e 25 prillit.
Jorida Tabaku: Aqif Rakipi ka tentuar për dy vjet të takojë kryetarin e Partisë Demokratike dhe ai nuk pranoi. Ndërkohë që Edi Rama i mori këta persona i futi në listën e PS-së.
Rakipi është jashtë Parlamentit me një kërkesë që kemi çuar ne, sepse ne jemi ndryshe, nuk jemi njësoj. Dhe e kemi treguar që jemi ndryshe.
Dhe më vjen shumë mirë që e kemi treguar me fakte. Kemi treguar që nuk bëjmë kompromise për pushtetin. Ndërkohë që nga pala tjetër ne shohim një kompromis për pushtetin, me dy personazhe që tregojnë faqen më të keqe të Shqipërisë, Doshin dhe Rakipin.
Rudina Xhunga: Rakipi u ofrua për të kandiduar djalin me PD-në?
Jorida Tabaku: Unë nuk i di detajet, di që është vetëofruar dy vjet me radhë për të takuar Bashën. Basha nuk e pranoi dhe ka treguar një vullnet të jashtëzakonshëm që nga 2016-ta dhe deri më sot, për luftën e dekriminalizimit që është një betejë që askush nuk ia heq dot PD-së dhe është një betejë që e pastroi Parlamentin.