Familja Haliti, 3 anëtarët e së cilës humbën jetën në Shqipëri pas helmimit nga ushqimi, kanë dalë në një deklaratë për mediat këtë të diel.
Djali i familjes ka treguar se në Qendrën Shëndetësore të Manzës prindërit dhe gjyshja e tij nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur.
“Ngjarja ka rrjedhë, janë infektuar prej disa ushqimeve që i kanë ngrënë. Diçka që është shqetësuese për ne dhe e papërballueshme për familjen tonë është neglizhenca, mostrajtimi i duhur në Qendrën Shëndetësore të Manzës. Tre pacientë me shkuar me të njëjtën simptomë dhe me u kthyer në shtëpi me hapa, me barna, besoj se nuk është adekuate, pa analiza, pa ekzaminime mjekësore, pa kurrëfarë përkushtimi me liruar pacientin në atë gjendje. Më duket se është diçka jo e duhur për çdo mjek që i thotë vetes mjek.
Kam kontaktuar përmes telefonit me të ndjerin, Afrimin. Më ka treguar që ka qenë në spital. Kanë kaluar vetëm me një serum dhe i kanë liruar. Kanë ardhur në shtëpi me barna. Gjendja ka qenë e rëndë sepse e kam konstatuar sipas të folurit. Nuk ka qenë jo e mirë, jo e duhur, e rrezikshme gjendja që çdo njeri që do kushte parë gjendjen do konstatonte që nuk është çdo gjë në rregull. Mendimi im është që nuk guxon të lirohet pacienti në atë mënyrë dhe sikur të ishte veç një, hajde thotë u krye. Tre pacientë me simptoma të njëjta, kjo është e pakuptueshme”.
Ai tha se do të presë mjekësinë ligjore që të thotë fjalën e fundit, por shtroi pyetjen se pse ka ngordhur edhe qeni pasi kafsha shtëpiake që ndodhej sëbashku me 3 familjarët që ndërruan jetë nuk i konsumonte kërpudhat.
“Policia e ka filluar ndjekjen. Mjekësia ligjore besoj që ka me thënë fjalën e vet. Sipas atyre sipas të gjithë konsiderohet vdekje e dyshimtë. Problemi që më shqetëson më së shumti është që kemi pasur edhe një qen, që ka qenë edhe ai me prindërit. Pse vdiq qeni? Mami qëmoti dhe familjarët e dinë që ushqimi që i hamë ne nuk i konsumon qeni, qeni ka pasur ushqimin e vet. Ajo më len të mendoj që është shumë e dyshimtë se mediat për ata dhe desha me fol për t’u qenë sa më i qartë. Tani, a e kanë për përfitime, apo qysh është puna. E kanë cek rastin pa fol me askënd. E kanë bërë rastin vetëm për klikime”.
Ai u shpreh se kur është interesuar në Tiranë, mjeku i familjes i ka thënë se pas 24 orësh rastet e helmimeve janë të rënda, ndërkohë që për prindërit dhe gjyshen e tij kishin kaluar 3 ditë.
“Në Tiranë pasi arrita, hera e parë ishte interesimi me pa familjarët pasi që i pashë familjarët dëshira e dytë ishte të bëja diçka me ta. U konsultova me mjekun e familjes. Fjala e tij e parë ishte që është shumë vonë. Helmimi nuk bën me i kalu 24 orë. Ne ishim 3 ditë vonë. Thashë në rregull duhet me dit, çfarë kanë çfarë duhet me i ndihmuar”.
Familja Haliti kishte banesën e saj në Gjirin e Lalëzit, ndërkohë që Afrimi ishte shtetas i Shqipërisë me dokumente. Sa u përket dyshimeve për helmim nga kërpudhat, familjarët u shprehën se të ndjerët i njihnin mirë ato. Djali tregoi ndër të tjera se ndërhyrja e stafit mjekësor në spitalin e Tiranës ka qenë e lartë vetëm pas ndërhyrjes së të afërmve dhe rrethit shoqëror të Afrim Halitit./ b.h