Zamira Durdaj e cila humbi djalin 9-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit kërkon hapjen e dosjes së plotë. E ftuar në Shqip në Dritare Tv zonja Durdaj tha se faktet janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ka shumë prova që mund të çojnë në zbardhjen e plotë vetëm nëse dosja hapet. Gjatë bisedës me gazetaren Rudina Xhunga Durdaj u shpreh se pret që ata që e shkaktuan këtë tragjedi, të paguajnë.
“Fatmir Mediu është pezulluar për shkak të imunitetit. Për imunitetin që kishte si Ministër i Mbrojtjes së asaj kohe, dosja e tij nuk ka dalë në një vendim gjykate. Unë dua që të hapet e gjithë çështja për Gërdecin. Sepse faktet janë të lidhura. Ka shumë prova të tjera. Çështja është pranuar në Gjykatën e Apelit pas 5 vjetësh gjykim në shkallën e parë. Dua të rihapet dosja e plotë sepse ne familjarët e viktimave nuk kemi pasur të drejtë të përfaqësohemi.
Të gjithë ata gjyqtarë që kanë gjykuar dosjen e Gërdecit kanë ikur nga sistemi i drejtësisë. Vetëm dy prej tyre vazhdojnë, të gjithë të tjerët janë larguar nga vettingu. Kjo do të thotë që unë jam gjykuar nga një bandë kriminale. Sepse ata kanë qenë të shitur.
E sotmja nuk më jep shumë shpresë që do të shkojë deri në fund, por më jep një shpresë të vogël. Unë i kam kërkuar pa reshtur Prokurorisë të hapë çështjen për ish-Ministrin e Mbrojtjes. Prokuroria ka bërë ping-pong. Një kalvar i gjatë procedurës.
Unë i kam ndjekur të gjitha proceset gjyqësore vetë. Unë pres që në këtë vend të vendoset një ligj që ata që e bëjnë një gabim, të mbajnë përgjegjësi. Nëse nuk mbajnë përgjegjësi, kjo do të vazhdojë kështu. Kjo është ajo që unë kërkoj, të rris fëmijë e nipër të sigurtë. Këtu tek ne nuk ka vlerë jeta.
Ata që shkaktuan Gërdecin duhet të paguajnë për atë që shkaktuan. Por edhe dëmshpërblimin duhet ta paguajnë ata që e bënë, jo taksapaguesit shqiptarë.
Nuk kam ndonjë entuziazëm të madh që u rihap çështja në SPAK sepse kam hall se do të shkoqet rrugës. Do të ketë ndërhyrje politike. Por të kishte vullnet politik dhe vullnet nga institucionet e drejtësisë Gërdeci ishte i zbardhur. Por megjithatë diçka ka ndodhur sot, SPAK e pranoi rihapjen e çështjes”, u shpreh Durdaj.
E vendosur t’i shkojë deri në fund, Durdaj tha se lufta e saj është nuk është me njerëzit por me shtetin.
“Këtu asnjë institucion nuk mban përgjegjësi për jetën tonë. Gërdeci erdhi nga babëzia për para. Kjo është të luash mendsh. Unë jam me mjekim. Po mjekohem që t’i shkoj në fund drejtësisë për Erin. Kam qenë në salla të drejtësisë të mbushur me njerëz që i urreja, por nuk jam dorëzuar. Durova, për të treguar që jam e fortë. Nuk kam pranuar asnjëherë ndihmë, nga askush. Nuk dua ndihmë financiare, dua drejtësi.
Edhe botën të ma falin, nuk e dua. Mund të jetoja edhe në një kasolle, po të kisha Erin. Por unë nuk e kam personale me njerëzit, e kam me institucionet. Mua djalin ma vrau shtetit. Dhe shteti dua të mbajë përgjegjësinë. Tragjedia e Gërdecit ndodhi sepse nuk funksionoi shteti. Që nga presidenti deri te kryeplaku i fshatit. Unë e di që Eri nuk më vjen më dhe jeta vazhdon por po e bëj këtë luftë për fëmijët e tjerë. Fëmijët duhet të rriten të sigurt në këtë vend, ndaj beteja ime vazhdon për ta”, u shpreh Durdaj në Dritare Tv.
/a.r