Nga Carlo Bollino
Kam një pyetje të thjeshtë fare që do të doja t’ua bëja Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, tani që dolën humbës edhe nga zgjedhjet e 25 prillit: A nuk ju lind fare dyshimi që në të vërtetë përfaqësoni ende një pakicë dhe se shumica e shqiptarëve vazhdon të mbështesë Edi Ramën? Përse për Bashën dhe Berishën, të vetmet zgjedhje të vlefshme janë ato që fitojnë?
Duke e konsideruar fitoren të sigurtë, nga këndvështrimi i tyre, zgjedhjet e 25 prillit as nuk duhet të mbaheshin fare. Thjesht një formalitet për të certifikuar një rotacion që ish-qeveritarët e konsideronin si një fakt të kryer. Po mbi cilat baza? Opozita dhe mbështetësit e saj prej vitesh kanë një problem me perceptimin e realitetit. Për ta, i vetmi realitet i besueshëm është ai që përkon me bindjet e tyre. E njëjta logjikë e ndjekur nga njëri prej shumë analistëve të errësuar nga fanatizmi, që në vend të certifikojë korrektësinë e exit poll duke treguar se sa iu afruan rezultateve të vërteta të zgjedhjeve, pretendon të certifikojë korrektësinë e zgjedhjeve duke matur se sa iu afruan rezultateve të exit poll.
Kjo logjikë pa logjikë është e njëjta që shpjegon përse tani PD vë në diskutim legjitimitetin e zgjedhjeve, thjeshtë sepse nuk përkon me pritshmërinë e tyre.
Ka ndodhur kështu gjithmonë. Për Bashën dhe PD të vetmit gazetarë të pavarur janë ata që mbështesin PD-në. Të vetmet media të guximshme janë ato që sulmojnë Edi
Ramën. Të vetmet sondazhe të besueshme janë ato që parashikojnë fitoren e opozitës. Të vetmit prokurorë të ndershëm janë ata që inkriminojnë kundërshtarët e tyre. Të vetmit politikanë të ndershëm janë ata që bëjnë aleancë me PD. Deri edhe vrasësit bëhen heronj, me kusht që të vrasin për llogari të PD-së. Pra është e kuptueshme që të vetmet zgjedhje të ndershme, janë ato që fitohen nga PD.
Ky është një deformim i realitetit që ka të njëjtat baza kulturore të supremacisë së fisit dhe të interesave private ndaj interesave publike të pjesës tjetër të vendit. Edhe pse realiteti është një tjetër, Basha këmbëngul ta injorojë dhe për të balancuar sulmet e brendshme që i kërkojnë dorëheqjen, është i gatshëm të hedhë baltë mbi gjithë popullin shqiptar që nuk e votoi, duke i konsideruar të shitur dhe të korruptuar. Ndryshe nga e kaluara, kur akuzat për manipulime ishin fokusuar mbi procesin e numërimit, në fakt, këtë herë, Basha akuzon socialistët se kanë blerë në mënyrë masive votat direkt nga votuesit para 25 prillit: pra asnjë tjetërsim vullnet popullor, por bashkëpunim i ndërgjegjshëm me zgjedhësit në këmbim të parave, legalizimeve, apo pakteve me krimin.
Ky interpretim fantazioz i rezultateve, i përpunuar nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha, nënkupton se edhe një pjesë e madhe e zgjedhësve të PD-së ta ketë tradhëtuar partinë e tyre duke pranuar ta votojnë PS, pasi nuk do të shpjegohej ndryshe se si Edi Rama arriti shumicën. A është i vetëdijshëm Basha për këtë akuzë të rëndë që iu drejton një pjese të zgjedhësve të vet?
Pjesëmarrja në votimet e 25 prillit ishte 46.3%, edhe më e ulët se 2017 që shkoi në 47%. Eshtë e qartë si drita e diellit që shumica dërrmuese mbi të cilën fantazonte Lulzim Basha, nuk u materializuar në ditën vendimtare të votës, sic nuk u materializua në asnjë nga dhjetëra protestat në shesh të organizuara nga opozita derisa e shtynë Bashën t’i ndërpriste për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
Në vend që të lexojë rezultatin e zgjedhjeve thjeshtë si një deshtim të strategjisë politike, përfshi fushatën zgjedhore, opozita këmbëngul të mbrojë pritshmërinë e saj duke hedhur baltë mbi të tjerët. Edhe mbi mbështetësit e tyre, të cilët pa u shitur dhe pa tradhëtuar askënd, thjeshtë vetëm se nuk gjetën te PD ndryshimin e shpresuar dhe të dielën 25 prill nuk shkuan të votojnë. Ndërsa socialistët, vazhduan të besojnë te Edi Rama dhe pa u shitur e pa qenë bashkëpunëtorë të asnjë krimineli, zgjodhën thjeshtë të votojnë përsëri për të.
Kur Sali Berisha përuroi kantierin e rrugës së Kombit me Erdoganin në krah vetëm 24 orë para zgjedhjeve të 2009, askush nuk e akuzoi per manipulime. Edhe Edi Rama si kryeministër në detyrë ka përfituar si ka bërë Berisha atëherë, nga pozicioni më i favorshëme dhe në një botë ideale kjo nuk duhet të ndodhë. Por është gjithashtu absurde ta mendoni që një qeveri duhet të futet në karantinë para zgjedhjeve për shembull, duke ndërprerë mbështetjen për viktimat e tërmetit apo vaksinimin, vetëm pët të mos dëmtuar kundërshtarët. Mbështetësit e opozitës shkojnë në zgjedhje pikërisht pët të rrezuar qeverinë, dhe, në se votat e tyre nuk mjaftojnë, nuk mund të fajësojnë qeverinë. Dhe për cfarë? Pse nuk është vetëasgjësuar?
Kjo është thjeshtësia fantastike e demokracisë që Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk kanë mësuar ende ta njohin; nëse dikush tjetër fiton zgjedhjet, do të thotë vëtëm që ti i ke humbur.
Carlo Bolino pro qeverisë
Babaramo kunder qeverisë
A ka bythë të rrijë ?
Dyfytyresi hipokrite.
Carlo, lëshoi Babaramon kunder Edi Ramës, mbasi kujtoi se fitonte opozita, për të fituar kredibilitet për të marrë ndonjë tender nga Luli Basha më vonë.
Pësoi fiasko nga,Rama.
Tashti predikon për llogari të qeverisë.
Njeri pa fytyrë. Hipokrit.
Turp për këtë lloj gazetarie.