Komisioni i Ligjeve nuk humbi kohë dhe pasi mori dritën jeshile nga Kuvendi është mbledhur këtë të mërkurë për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Anëtarja e këtij komisioni dhe njëkohësisht deputetja socialiste Vasilika Hysi renditi para deputetëve se cilat janë arsyet se pse kërkohet të shkarkohet Presidenti. Ajo tha se, Meta nuk ka ushtruar funksionin e përfaqësuesit të unitetit kombëtar dhe në disa raste ka nxitur njerëzit që të përdorin dhunë.
“Aktiviteti politik që ka kryer presidenti nuk ka qenë për të përcjellë deklarata të ekuilibrit, të ftojë palët të votojnë me qetësi, por e ka turbulluar ekuilibrin politik. Në raste ka shkuar më tej dhe ka inkurajuar njerëzit të përdorin dhunë të mbrojnë votën si dhe ka kërcënuar hapur policët, prokurorët dhe gjyqtarët me privim të lirisë”, tha Hysaj.
Prandaj sipas kërkesës së deputetëve Meta ka kryer veprime që kanë shkelur Kushtetutën në mënyrë flagrante. “Ai ka kryer disa akte dhe veprime e sjellje që përmbajnë shkelje të rënda dhe flagrante që përbëjnë shkak për ndasi politike dhe nuk i shërbejnë interesit kombëtar”, tha më tej deputetja tjetër socialiste Klotilda Bushka .
Deputetët që kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e Metës thonë se Presidenti me anë të deklaratave që ka bërë ka mbajtur anën e një grupimi politik. “Në daljet politike presidenti ka kryer aktivitet politik duke mbrojtur opozitën”, tha Vasilika Hysi. Ajo tha se Presidenti ka përdorur terminologji që nxit dhunën që sipas saj, “Nuk zgjidhin konflikte dhe ulin tensione, por i kanë nxitur ato”.
Një tjetër pikë që kanë kapur deputetët e Kuvendit është edhe keqpërdorimi, sipas tyre, i heshtjes zgjedhore më 24 Prill. “Të gjithë atë ditë heshtën, përveç Presidentit që bënte thirrje për goditjen e grupeve mafioze italiane, mbrojtjen e votës dhe një sërë thirrjesh të tjera. Presidenti në vend që të ulte situatën e tensionuar para zgjedhore zhvilloi një aktivitet politik intensiv dhe mbajti anësi me opozitën. Ka shkelur parimin e unitetit kombëtar”, tha Hysi.
Sipas deputetes socialiste Meta ka krijuar një precedent të rrezikshëm për demokracinë me deklaratat e tij. Ndërkohë Ervin Bushati, deputet i mazhaorancës tha se sjellja e Metës është e përsëritur. “Grupi parlamentar i PS-së e shikon jetike këtë vendimmarrje jo vetëm për arsyen e përsëritur, por për shkak të gjuhës dhe kontekstit ku ka ndodhur e gjitha. Në mënyrë të vazhduar dhe në zgjedhjet lokale të 2019-s dhe zgjedhjet e 2021 kemi parë gjuhën ndarëse, që bie ndesh me kushtetutën dhe premisa për të acaruar jo vetëm situatën politike por për të thyer rendin, dhe në rastin e Elbasanit ndoshta edhe viktima”, tha Bushati.
Presidenti Ilir Meta reagoi më herët në lidhje me këtë mbledhje që po zhvillohet ditën e sotme. Në një letër thuhej se kreu i shtetit nuk ishte informuar dhe sqaruar për çfarë duhej në këtë takim. Sipas Metës, Kuvendi nuk ka legjitimetin e duhur për të kryer veprimtari hetimore pasi nuk ka opozitë. Ai rendit të gjitha shkeljet, sipas tij, gjatë procesit zgjedhor dhe tha se është i gatshëm të përballet me “Ligjet” më 10 Maj.
/a.r