Ervin Bushati është emri surprizë që mbeti jashtë listës së PS-së nga zgjedhjet e 25 Prillit. Kryetari i PS-së për Tiranën ka folur për gazetarët këtë të martë, para se të hynte në Kuvendin e Shqipërisë.
Bushati tha se beson se fitorja e PS-së është fitorja e tij. Si kryetar i selisë rozë për kryeqytetin, Bushati u shpreh se është arritur një rezultat historik.
“Fitorja e PS-së është fitorja ime. Tek kjo besoj më shumë se anasjelltas. PS arriti që të ketë një mandat të tretë për të drejtuar Shqipërinë dhe kjo është historike. Në ekipin e PS-së Tiranë kemi kapur një rezultat historik. 19 mijë vota më shumë se zgjedhjet e kaluara. E kishim të sigurt që do të merrnim një mandat të tretë me 74 vota kështu që kjo ka ndodhur. Gjithçka që ka qenë në funksion të kësaj fitoreje mendoj se është e merituar. Unë si kryetar i PS-së në Tiranë mendoj se kam qenë 100% i fokusuar në fitoren e PS-së”, tha Bushati.
Por si ndihet nga ana tjetër një deputet si Fatmir Xhafaj, i cili edhe pse në pjesën e pasigurtë të listës arriti të thyente herësin duke siguruar një mandat për legjislaturën e ardhshme.
“Si para 25 Prillit. Po më patët parë të fortë atëherë jam edhe sot”, tha Xhafaj.
/a.r