Nga Frrok Çupi
Çfarë po ndodh tani me Ilir Metën, president i Republikës së Shqipërisë, kjo ka ndodhur me presidentin Omar Al- Bashir. Të dy presidentët kanë vitin e përbashkët kur u takuan: 2009. Ndërsa Ilir Meta, atë vit, ngjitej për në majat e larta të pushtetit, bash në vitin 2009 Al- Bashir po rrëzohej poshtë në humnerë. Ilir Meta u ngjit në fronin e zëvendës- kryeministrit e pastaj të kryetarit të Kuvendit dhe të presidentit të Republikës, Al- Bashir po shkonte në qeli.
Ky ishte takimi virtual në kohë mes Metës shqiptar dhe Al- Bashir, sudanez.
Viti 2021 është përsëri një vit tjetër që i bashkon të dy presidentët, njëri me ngjyrë nga kontinenti afrikan dhe tjetri nga kontinenti evropian. Të dy takohen përsëri, por që të dy të rrëzuar nga froni. Kuvendi i Shqipërisë sot ka mbledhur 50 firma deputetësh- 14 më shumë se sa nevojiten, për shkarkimin e presidentit Meta. Nesër nis seanca parlamentare për shkarkimin e tij.
Nuk i dihet nëse këta dy liderë janë takuar ndonjëherë mes tyre, por kanë atributin e ‘çmendur’ që ngjajnë si dy pika uji edhe pse jetojnë në dy kontinente tepër të kundërt: Afrikë- Evropë. Të dy liderët takohen edhe në një moment shumë krucial, në akuzën e përbashkët që i rëndon si njërin edhe tjetrin. Për Ilir Metën sot u formulua akuza e fundit, akuza e ‘nxitjes së urrejtjes që solli vrasje’ ditën para ditës së votimeve për Parlamentin e ri…
Edhe Al- Bashir po vuan një dënim me burg për korrupsion të lartë, por Gjykata Ndërkombëtare e kërkon me akuzën ‘për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njeriut. Meta është politikani më i korruptuar në Evropë…
Sigurisht, diku- diku, akuzat mes Metës dhe Al- Bashir, që është presidenti i fundit i shkarkuar dhe i burgosur në këtë botë, diku- diku këto akuza zbehen herë për njërin e herë për tjetrin. Por megjithatë takohen.
Takohen në faktin se Al- Bashir, sipas BBC- një pjesë të dënimit e bëri në burgun ku kishte dërguar ‘me dorën e tij’ disa gazetarë, oficerë dhe sipërmarrës. Ilir Meta u kishte deklaruar sy për sy oficerëve të Policisë në rastin e mbrojtjes së zyrave të partisë Topi, se ‘me dorën e tij’ do t’i dërgonte në burg.
Takohen me njëri- tjetrin në dhunimin e Kushtetutës. Al- Bashir kreu një grusht ushtarak shteti në vitin 1989; ndërsa Meta e kreu dy a tre herë, duke nisur që nga qershori 2019 kur anuloi dekretin për zgjedhjet lokale.
Al Bashir dhe Ilir Meta nuk takohen ‘kokë më kokë’ në akuzën e ‘genocidit’ dhe të ‘krimeve kundër njerëzimit’. Shifra e lartë e viktimave në Darfur dhe në gjithë Sudanin, e veçon nga Meta në breg të Adriatikut. Por në thelb, akti është i përafërt. Al- Bashir nuk është kapur kurrë me zë e figurë tek bën thirrje ‘kapni sfurqet, kosoret dhe çfarë të keni’, e bjeruni atyre.
Por diferencën e bëjnë kontinentet e ndryshëm, jo dy presidentët. Nuk e përfytyroj Metën në Sudan, por më dridhet mishtë po ta mendoj në atë ‘liri’ gjenocidi… Ndërsa për kontinentin Evropian dhe për Shqipërinë, Ilir Meta është presidenti i parë që shkarkohet gjatë këtyre dy shekujve.
Kjo e bën kontinentin edhe më ‘vetë-kullues’.