Nga Bajram Peçi
Në kokë i ka zënë vend një mendim i vetëm: të mos njoh rezultatin e zgjedhjeve. Mendimi, kapur pas të cilit Ilir Meta shpreson më kot, u bluajt prej hirësisë së tij në pak kohë. Që të pështyjë sa të mundi mbi procesin zgjedhor, për të gjetur udhën e ndihmoi praktika e para pak kohëshme e votimit për kryetar bashkie në Tiranë. Kishin provokuar të ndodhte atëbotë, që votat e hedhura në kutitë e gabuara, në kundërshtim me çdo ligj, nen, normë e moral, të rinxirreshin dhe të rivlerësoheshin. Rezultati ndryshoi disa vota për palën tjetër. Rezultati u përmbys.
Përse të mos e provojmë përsëri?!
Gjithçka kish ndodhur nën urdhrat, vëmendjen e kujdesin e Sali Berishës. Ndërkombëtarët e pranishëm e kuptuan menjëherë se prapa lëvizjeve dredharake e të ndyra të Berishës-kryeministër, fshihej një hile e madhe, pasi kish 48 orë që kutitë nuk ndodheshin më nën vëmendjen e kujdesin e palës tjetër, opozitës. Ishte një veprim i rëndë, por ai nuk i përfilli. Ata u kuptuan në heshtje me njeri-tjetrin dhe opinioni i tyre do duhej të kalonin vite të njihej, pasi themeluesi i Wikileaks, Julian Assange botoi kabllogramet. Precedenti ishte krijuar. Era e rëndë dhe e keqe e kësaj të pëgëre ndjehet sot në dyert e opozitës.
Në ato palë zgjedhje lokale, Saliu gëzonte përkrahjen e KQZ-së dhe kryetarit të saj, z. Ristani. Si njeri i “besës”, Saliu diti t’ja shpërblente nderin me nder. Këto janë fakte, që folën atë kohë dhe flasin edhe tani. Nuk i fsheh dhe as i shuan dot.
Por nuk mjaftonte vetëm ai! U thirr në ndihmë për t’i prerë sajesës një “petk” juridik një pjestar i klanit fisnor, por i veshur me “togën” e profesionistit. Edhe pse proçesi i numërimit të votave në Tiranë kish përfunduar, Çlirim Gjata, një ish-kryetar i KQZ-së, u shpreh para mediave dhe opinionit publik se “…votat e gjetura në kutitë e gabuara nuk mund të shpallen të pavlefshme, por duhet të prodhojnë rezultat”.
Kaq u desh për ta shtyrë më tej kufirin drejt vjedhjes përfundimtare. Shtoi më pas se në garën e Tiranës “Rezultatin nuk e shpallin as vëzhguesit, as kandidatët, as partitë, as media, as publiku. vetëm KQZ”. Pra, kryetari Ristani! Rezultati kish dalë njëherë, por kjo nuk e pengoi Ristanin të shpallte një rezultat tjetër. Ai ja pa hairin. U caktua Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe u vu në listën e deputetëve.
Mos vallë i vrau ndërgjegja për krimin zgjedhor që kishin kryer? Aspak! Këta, as kanë qënë ndonjëherë me bindje demokratike e aq më pak me sjellje demokratike!
Shija e hidhur, që la pas ky krim zgjedhor, rivjen i freskët prej angazhimit personal, i drejtëpërdrejtënë dhe arrogant i presidentit. I zhyer keqazi në shkeljen e kushtetutës, keqpërdorimin e postit të presidentit, duke u bërë palë në zgjedhje, duke marrë pjesë aktive në fushatë, duke sharë e fyer pozitën, duke e kërcënuar haptazi atë dhe kryetarin e saj e duke nxitur dhunën, kërkon rinumërim e rivlerësim të votave të plotësuara gabim e që kodi zgjedhor i konsideron të pavlefshme.
Gjithsesi, kjo nuk ndryshon gjë në rezultatin e partisë që i la gruas së tij dhe as në atë të forcës politike, me të cilën kanë lidhur aleancë paszgjedhore. Ata krijojnë iluzione më kot, ata në këto zgjedhje janë humbësa e do mbeten të tillë edhe sikur t’jua faturosh gjithë votat e plotësuara gabim. Por KQZ-ja nuk duhet t’ja ushqejë tekat, në orvatjet e tij të çmëndura për të bërë presion e kërcënuar.
Po si qëndron e vërteta? Shifra që kam mësuar nga mediat është diku 83 apo 84 mijë vota të pavlefshme e rreth gjysma prej tyre i përkasin votës ku kryqi apo iksi është vënë te 12-ta, te PS-ja.
Pas çdo hapi që ka hedhur Ilir Meta këta muajt e fundit, vetiu ngjallen dyshimet tona. Ka dashur shumë të krijojë e të mbajë ndezur tension. Jo tension zyrash, por tension kombëtar. E dimë se në zgjedhje, në kutitë e votimit, pas verifikimeve do dalë ndonjë grimcë sporadike e veprimit, që s’përputhet me kodin zgjedhor. Pikërisht, këtë grimcën do synojnë PD dhe presidenti ta shndërrojë në një gur të stërmadh mulliri për të bluar atje PS-në dhe Edi Ramën.
Dëshmitë e deritanishme kanë nxjerrë si vjedhësa votash këta të LSI-së. U duhet një rast nga PS, që të kenë një pikëmbështetje, prej nga mund të nisen për të ndërmarrë ofensivën e manipulimit të opinionit se votat janë vjedhur, s’kanë qenë demokratike dhe përderisa nuk i fituan ata, nuk i njohin (!!!?). Për këtë shkak i mëshojnë fort rastit të Elbasanit, duke dhënë prova që nuk janë dhënë në relacionin e policisë.
Kur shkruaj “opinion”, nuk kam dhe aq shumë këtë tek ne. Ata, që edhe pas një jave nuk urojnë kundërshtrin dhe tjerrin marrëzira, përmes strategjisë së shpifjeve, që kanë caktuar si veprim për mosnjohje rezultati, synojnë më shumë e kryesisht opinionin ndërkombëtar, se këtu nuk ua vë njeri veshin.
Injoranca apo keqinterpretimi i qëllimshëm i kodit zgjedhor na përfshiu dhe garuesin e VV, i cili jep shembullin se nuk i janë njohur x vota të shënuara për atë dhe PS-në; x vota të shënuara x për atë dhe PD-në dhe x vota ku përpos emrit të tij të shënuar me x, ishin shënuar edhe dy subjekte të tjera. Me kë të flasësh, me murin? Mirëpo, të mos flasësh apo të mos shkruash është edhe më keq, sepse këta do vazhdojnë të dërdëllisin, sot, nesër e mbase edhe pas 4 vjetësh.