Rreshjet e shiut kanë përfshirë gjithë territorin e vendit dhe do të vijojnë edhe në 24 orët në vijim. Sipas sinoptikanëve, temperaturat nuk janë aspak tipike për Pranverën.
“Pritet që moti të jetë i paqëndrueshëm me vranësira dhe shira deri të shtunën në mesditë. Sa i përket vlerave termike temperaturat këtë të premte dhe tështunë do të jenë relativisht të ulëta. Në zonat malore më e ulëta pritet të shkojë më shumë se 8 gradë dhe i gjithë territori shqiptarë të shënojë vlera deri në 16 gradë”, u shpreh meteorologia Lajda Porja për Klan News.
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve një ndryshim drastik do të pësojnë kushtet e motit ditën e diel.
“Dita e diel pritet të jetë me mot të kthjellët, pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Kthjellime të cilat do të vijojnë edhe në fillimin e javës tjetër. Një ndryshim total të tablosë termike dhe një rritje të ndjeshme të tyre. Madje pritet që temperaturat në zonat malore të shënojnë 17-18 gradë duke filluar që nga Bajram Curri, Kukësi, Burreli, Peshkopia, do jenë në këto vlera. Në Ultësirën Perëndimore vlerat do të luhaten nga 20 deri në 23 gradë ”, thekson Porja.
Sipas Meteoalb java në vijim do të ketë mot të qëndrueshëm, por ditët e fundit të Prillit do të kenë sërish prezencë të shirave.
/a.r