Dixhitalizimi dhe përdorimi i shërbimeve në internet ka bërë që edhe kërkesa për t’u pajisur me armë të bëhet online.
Ministria e Brendshme ka nisur konsultimet publike sa i takon projekligjit për pajisjen me autorizim të posacëm për mbajtjen e armëve si dhe vlerësimin e rrezikut të kërcënimit të jetës.
Sipas hartuesve të projektit, qëllimi është të lehtësojë procesin e vlerësimit të kërcënimit të rrezikut për jetën dhe pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve online, duke reduktuar kështu kohën e marrjes së shërbimit si dhe duke evituar burokracitë.
Në ligjin e vitit 2015 ndryshohet pika 4 sipas së cilës parashikohen dhe detyrat e policisë së shtetit. Sipas projektit, kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta për pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme bëhet on-line, e shoqëruar dhe me kopjen e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar.
Brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës, strukturat e Policisë, ku ka vendbanimin personi i kërcënuar administrojnë relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës, informacione hetimore por edhe vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar./ b.h