Kohët e fundit, Kina po zhvillon bashkëpunim mbi vaksinat me vendet e botës në mënyra të ndryshme, për të kapërcyer së bashku epideminë dhe për të promovuar zhvillimin e përbashkët pas epidemisë. Kina ka shtuar më shumë besim në unitetin dhe bashkëpunimin e botës për të luftuar epideminë.
Disa ditë më parë, kontingjenti i dytë i vaksinave të COVID-19 që Zimbabve ka blerë nga Kina mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Robert Mugabe” në kryeqytetin e Zimbabves Harare. Kina është e para që u angazhua për t’i bërë vaksinat një produkt publik global dhe për të rritur aftësinë e vendeve në zhvillim për t’i zotëruar dhe përballuar financiarisht ato. Deri më 30 mars, Kina ka siguruar ndihmë me vaksina për 80 vende e tre organizata ndërkombëtare, ndërsa ka eksportuar vaksina në më shumë se 40 vende. Përveç kësaj, Kina gjithashtu është bashkuar me planin e ri të zbatimit lidhur me vaksinat të OBSh-së dhe ka bërë një premtim të hapur për të ofruar kontingjentin e parë prej 10 milionë dozash vaksine për nevojat urgjente të vendeve në zhvillim.
Zhang Yuntao, nënkryetar i Kompanisë Bioteknologjike “Sinopharm” të Kinës, bëri në ditur në një konferencë për shtypin të mbajtur nga Mekanizmi i Përbashkët i Parandalimit dhe Kontrollit i Këshillit të Shtetit të Kinës disa ditë më parë se deri më 28 mars vaksina e inaktivuar e Covid-19 e “Sinopharm”-it është përdorur në 50 vende e rajone të botës.
Prodhimi i përbashkët i vaksinave gjithashtu përparon vazhdimisht. Më 28 mars u mbajt në Abu-Dabi ceremonia për nisjen e projektit të linjës së prodhimit për mbushjen me lëngjet e vaksinave kineze në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Abdullah deklaroi në ceremoni se hapi tjetër i këtij projekti është ndërtimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i një qendre të prodhimit dhe të transportit të vaksinave në rajonin e Gjirit për të mbështetur më shumë vende në luftimin e epidemisë. Përveç kësaj, duke filluar nga ky vit, Kina do t’i ofrojë Brazilit dy kontingjente përbërësish aktivë farmaceutikë për vaksina çdo muaj, dhe gjithsej 14 kontingjente do të mbërrijnë para fundit të qershorit.